E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen fondet e ndihmës ekonomike me 24 për qind

12/11/2009  Ksera: Buxheti 2010

Projektbuxheti i vitit 2010 parashikon më shumë fonde për programet e mbështetjes sociale, e veçanërisht ato për ndihmën ekonomike. Kreu i Ministrisë së Punës ka prezantuar gjatë ditës së djeshme skemën e shpërndarjes së fondeve për programet e caktuara për vitin e ardhshëm. Sipas ministrit Ksera, ky buxhet është më i madhi i akorduar ndonjëherë, veçanërisht për programet që mbështetin grupet në nevojë. Konkretisht fondet për fushën e mbrojtjes sociale do të jenë në masën 18.6 miliardë lekë nga 16.5 miliardë në vitin 2009, ose 14 për qind më shumë. Ndërkohë që në zbatim të ligjit “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” në projektbuxhetin e vitit 2010 për llogaritjen e fondit të mbrojtjes sociale pohohet se janë marrë parasysh ulja e rasteve abuzive në skemën e ndihmës ekonomike dhe të pagesave të aftësisë së kufizuar, forcimin e kritereve për vlerësimin e aftësisë së kufizuar, garantimin e përfshirjes dhe mosdiskriminimin e individëve dhe familjeve në nevojë dhe përfshirjen në skemë, pra mbështetjen për familjet në varfëri ekstreme. Në zbatim të këtyre të fundit është vendosur që pagesa e personave me aftësi të kufizuara do të jetë në masën 11.442 miliardë leke, ose 24 për qind më shumë krahasuar me vitin 2009. Ndërsa ndihma ekonomike do të jetë 5.2 miliardë lekë. “Fuqizimi i tregut të punës dhe rritja e punësimit do të jenë prioritete për vitin 2010. Tregues i saj është edhe buxheti i akorduar për tregun e punës, i cili kap shifrën 319 milionë lekë, ose 30 për qind më shumë se buxheti i akorduar për vitin 2009”, - ka pohuar ministri Ksera.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›