E Diel, 1 Nëntor 2026

Del nga shtrati lumi Vjosë, Fieri në pragpërmbytjeje

12/11/2009  Panik te banorët e fshatrave përgjatë këtij lumi. Shpallet gjendja emergjente në Fier

FIER- Gjatë 12 orëve të fundit prurjet e ujit në lumin Vjosë janë rritur në kufijtë maksimal. Në fshatin Ferras në vendin e quajtur “Ura e Mifolit” ujërat kanë dalë nga shtrati i lumit dhe kanë filluar të rrjedhin në fushë. Për pasojë 6 shtëpi që ndodhen pran bregut të lumit, nën nivelin e tij, janë bllokuar tërësisht. Momentalisht pranë urës së Mifolit po punon një fadromë.

Përmbytjet

Banorët e fshatrave që shtrihen përgjatë Vjosës, po ndjekin me shqetësim situatën, ndërkohë që drejtuesit e shtabit të emergjencës pohojnë se situata është nën kontroll dhe janë marrë të gjitha masat për përballimin e saj. Përgjatë gjithë natës banorët të frikësuar nga dalja e shtratit të lumit Vjosa kanë larguar të gjitha orenditë shtëpiake. E njëjta situatë paniku është përsëritur në fshatrat buzë shtratit të lumit, edhe mbrëmjen e djeshme, pasi është rritur së tepërmi niveli i ujërave të lumit Vjosë. Edhe gjatë gjithë ditës së djeshme situata është e rënduar. Më të rrezikuar janë familjet që kanë ndërtuar shtëpitë shumë pranë shtratit të lumit, sidomos në Urën e Mifolit dhe në fshatin Cerven. Banorët kanë marrë masa për të pasur sa më pak dëme materiale. Prurjet e shumta të lumit kanë bërë që gjatë gjithë ditës së djeshme ujërat të dalin nga shtrati duke përmbytur qindra ha tokë bujqësore si dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në pronat e banorëve. Niveli i ujit është rritur edhe gjatë gjithë ditës së djeshme duke rrezikuar edhe më tepër banorët e kësaj zone. Fshatrat e përfshira nga përmbytja janë Kafaraj dhe Cerven në komunën Frakull dhe Ferras e Bishan në komunën e Levanit. Në të njëjtën situatë janë edhe disa fshatra që gjendjen përgjatë shtratit të lumit Vjosë në pjesën e Vlorës. Mungesa e paneleve mbrojtës dhe gërryerjet pa kriter në shtratin e lumit kanë bërë që gjatë ditëve të fundit daljet e Vjosës nga shtrati të jenë të shpeshta. Ujërat e lumit Vjosë kanë dalë nga shtrati duke përmbytur rreth 300 ha tokë.

Banorët

Banorët e fshatit Cerven dhe Ferras të komunës Frakull e Levan pohojnë se niveli i ujit ka arritur në afërsi të banesave në Cerven duke rrezikuar pronat e familjeve. Banorët shprehen se gjatë gjithë natës, ata kanë larguar nga shtëpia orenditë, sepse prurjet e lumit Vjosë sipas tyre, janë të njëllojta me ato të vitit 2005, vit i cili solli përmbytjen më të madhe gjatë këtyre viteve. Sipas specialistëve, prurjet e lumit janë në shtim dhe nga çasti në çast mund të rrezikojnë edhe zona të tjera përgjatë shtratit të saj. Banorët shprehen se netëve bëjnë roje duke matur dhe vëzhguar nivelin e ujërave të lumit Vjosë. Përballë kësaj situate nuk kanë funksionuar kanalet kulluese, ndërkohë që puset dhe pompat e ujësjellësit janë përmbytur. Nëse Vjosa vazhdon të ketë këto prurje, atëherë mund të përsëritet gjendja e vitit 2005.

Alfred Olli: Gjendja jo alarmante, mos sillni panik

Fier, shpallet gjendja emergjente

Përballë gjendjes së krijuar është ngritur shtabi i emergjencës në institucionin e prefektit të qarkut Fier. Nga ana e prefektit Bujar Hasa është shpallur edhe emergjenca civile. Në mbrëmjen e djeshme është ngritur edhe shtabi si dhe janë bërë gati hidrovoret si dhe mjetet që do të parandalojnë prurjet e lumenjve. “Kërkohet një gatishmëri dhe përkushtim për të përballuar situatën për t’i ardhur në ndihmë banorëve, fshatrave për evakuimin ndoshta të popullatës dhe materialeve”, –ka thënë Hasa. Edhe lumi Seman i është afruar nivelit kritik ku niveli ka arritur pikën maksimale dhe sipas Bordit të Kullimit, ai mund të vërshojë jashtë shtratit të tij. Niveli i ujit ka arritur gati 6 m që është edhe niveli i fundit të lumit Vjosë e Seman jashtë shtratit të vet, ndërkohë Vjosa ka dalë nga shtrati në orët e pasdites së djeshme. Alfred Olli në një intervistë mediatike pohon se situata është nën kontroll dhe u bënë thirrje banorëve të mos pushtohen nga paniku. “Ju informojmë që shtabi i emergjencave në prefekturën Fier, qysh në orët e vona të mbrëmjes së ditës së djeshme ka bërë takimin e posaçëm për rritjen e nivelit të ujit në shtratin e lumit Vjosë. Siç e shihni ka një rritje goxha të konsiderueshme, por që është brenda atyre parametrave që momentalisht nuk na shkakton përmbytje në komunat përreth. Do t’ju informoj se janë marrë të gjitha masat, sidomos për zonat që preken, fshatrat që dëmtohen. Banorët janë evakuar si dhe janë marrë masa për mbrojtjen e shtëpive të tyre. Kemi angazhuar Forcat e Armatosura të Shtabit të Përgjithshëm, Repartin e Ndërhyrjes së Shpejtë. Janë lajmëruar dhe janë në gatishmëri shërbimi mjekësor”, tha Olli.

SHKODER- Ndërmarrja e rrugëve rurale të Shkodrës ia ka dalë të zhbllokojë aksin rrugor Shkodër –Dukagjin, që ishte bllokuar për shkak të shembjes së një masivi shkëmbor rreth 100 metër kub. Për tre ditë me radhë punonjësit e kësaj ndërmarrjeje kanë punuar ditën dhe natën për lirimin e këtij aksi. Vlen të theksohet se punonjësit e ndërmarrjes në fjalë kanë punuar në kushte tejet të vështira nën rrezikun e shembjes së dherave dhe shkëmbinjve. Megjithatë, ky zhbllokim i aksit rrugor të Dukagjinit konsiderohet i përkohshëm nga ana e drejtorit të ndërmarrjes së rrugëve rurale Gjovalin Kodra. Drejtori Kodra e vlerëson punën e punonjësve të tij në një farë mënyre heroike për shkallën e rrezikshmërisë që kanë përballuar deri në hapjen e rrugës, por nga ana tjetër kërkon ndërhyrjen e specialistëve të Ministrisë së Transporteve dhe financimin e qeverisë për t’i dhënë fund njëherë e mirë problemit të shembjeve në këtë aks tepër problematik.

Ndërkohë specialistët e kësaj ndërmarrjeje shprehen se për të mënjanuar bllokimet e përvitshme të kësaj rruge, si nga shembjet e dherave nga reshjet, ashtu dhe nga reshjet e dëborës, duhet një investim kryesor i qeverisë për rikonstruksionin e plotë të këtij aksi rrugor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›