E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen humbjet në radhët e ushtrisë siriane

Të paktën 16 ushtarë mbetën të vrarë në luftimet e zhvilluara mëngjesin e së dielës në disa rajone të krahinës së Aleppos, lajmëroi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Nëse lajmi do të konfirmohet zyrtarisht, atëherë bilanci i viktimave që prej së premtes do të shkojë në rreth 100 persona, 60 prej të cilëve ushtarë.

Së fundmi, dhuna në vend është përshkallëzuar në mënyrë progresive, por bie në sy aftësia e kryengritësve për t’i shkaktuar humbje gjithmonë e më të mëdha ushtrisë së rregullt siriane.

”Të paktën 16 ushtarë mbetën të vdekur në luftimet me kryengritësit në Daret Aza, në periferinë e Atarebit dhe në një postbllok në fshatin e Kafar Halabit”, informoi Observatori.

OKB thotë se mbi 15 mijë persona kanë humbur jetën nga konflikti në Siri, konflikt i cilësuar nga ndërkombëtarët si një luftë civile.

Përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës vazhdojnë. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët ngulmojnë për largimin e Assad dhe kërkojnë kalimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që lejon ndërhyrjen ndërkombëtare.

Por, kjo rezolutë kundërshtohet fort nga Rusia dhe Kina, dy anëtaret e përhershme me të drejtë vetoje në këtë Këshill.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›