Shtohet numri i shteteve që tërheqin ambasadorët nga Siria

Shtetet kryesore evropiane dhe anëtarët e Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit (KBGJ), kanë deklaruar se po tërheqin ambasadorët e tyre nga Siria, pasi është raportuar për rritje të vrasjeve nga dhuna ndërmjet forcave qeveritare siriane dhe kundërshtarëve të qeverisë.
KBGJ ka njoftuar sot se do t`i dëbojë të dërguarit e qeverisë së Sirisë në këtë trupë.
Ky këshill e ka dënuar “masakrën masive kundër popullit të pa-armatosur sirian”.
Italia, Franca, Spanja dhe Holanda, gjithashtu sot kanë shpallur se i tërheqin ambasadorët e tyre nga Siria.
Gjatë ditës së djeshme edhe Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë shpallur tërheqjen e diplomatëve të tyre nga Damasku.