E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishikohen tarifat e amnistisë

12/04/2011  Deputetët e mazhorancës do të propozojnë amendim të draftit para kalimit në seancë plenare

Rrushaj: Për makineritë tarifa do të jetë 5 për qind dhe për pronat 3 për qind

Tarifat e amnistisë do të reduktohen sipas kërkesave të biznesit përpara se drafti i amnistisë fiskale të shkojë në Kuvend. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rrushaj, theksoi dje se tarifa për makineritë dhe pajisjeve do të jetë 5 për qind nga 7 për qind, dhe tarifa për pasuritë e paluajtshme do të jetë 3 për qind nga 6 për qind e parashikuar në draftin e miratuar edhe në Komisionin e Ekonomisë.

Reduktimi

Ndryshimi do të bëhet me anën e një amendimi që përfshin reduktimin e tarifave. Vetë ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë raportimit në këtë komision theksoi se ka vend për rishikim të tarifave, sipas kërkesave të bëra nga biznesi. “Komisioni i Ekonomisë dhe deputetët e tij kanë mundësitë ligjore që të bëjnë në formën e një amendamenti propozimin dhe të paraqitet në seancë plenare. Ky propozim ka shumë gjasa që të miratohet nga deputetët e mazhorancës”, - thekson Rrushaj. Ai i ka konsideruar paksa të nxituara deklaratat e komunitetit të biznesit, për mosndryshim të tarifave. Sipas zëvendësministrit të Financave, kjo iniciativë e amnistisë fiskale ka ardhur dhe është bërë në mënyrë shumë transparente deri në ditën që do të shkojë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Rrushaj theksoi se janë marrë në konsideratë të gjitha kërkesat e grupimeve të biznesit, madje më tepër se sa duhet, edhe pse një dokument i tillë kërkon një ekuilibër ndërmjet palëve. “Në nenin 13 janë të shprehura garancitë për legalizimin e kapitalit, dhe janë një sërë nenesh qartësisht të përcaktuara. Ky projekt duhet parë në realitetin shqiptar, siç është kontrolli tatimor pas deklarimit dhe masat antimafia. Ky draft u drejtohet atyre personave që paratë nuk i kanë bërë nga krimi i organizuar nga pastrimi i parave, korrupsioni apo droga dhe prostitucioni. Ata që përfitojnë janë vetëm ata që nuk kanë deklaruar deri tani sipas ligjit, të cilët janë të mbrojtur sepse deklarojnë ato që kanë fshehur”, - tha Rrushaj.

Përfituesit individë

Individët janë të lirë të deklarojnë të ardhurat, që disponojnë dhe i kanë të palegalizuara, duke paguar një vlerë prej 3% të shumës. Të gjitha pasuritë e tyre, duke përfshirë banesat apo tokat, që kanë diferenca midis çmimit të blerjes në momentin fillestar dhe atij të shitjes në tregun aktual, paguhet 10% mbi këtë shumë. Individëve u falen të gjitha taksat dhe tatimet e papaguara deri në fund të vitit 2010, qofshin këto taksa vendore apo kombëtare. Po ashtu, qytetarëve do t’u falen detyrimet e papaguara për makinat e importuara deri në fund të vitit 2010, u falen gjobat dhe interesat e llogaritura në doganë, nëse paguhet 50% e principalit të detyrimit. Këtu përfshihen dhe gjobat e vendosura për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Biznesi i vogël

Ndërkaq, të gjithë ata qytetarë që kanë të regjistruar biznes të vogël dhe që deklarojnë shuma monetare në baze të këtij ligji, do të konsiderohen se i kanë paguar të gjithë detyrimet tatimore konform ligjit, deri më 31 dhjetor 2010. Tarifa e këtij legalizimi është sa ajo e qytetarëve, pra 3%. Të gjithë të vetëpunësuarve u falen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe gjobat e kamatëvonesat e papaguara deri më 31 dhjetor 2008. U falen gjithashtu dhe 2 vitet e fundit nëse paguajnë detyrimin e tyre për sigurime për vitin 2011. Biznesit të vogël, i cili është pajisur me kasë fiskale deri më 28 shkurt 2011, u falen gjobat e marra për mosvendosjen e këtyre pajisjeve. Sipas këtij drafti nuk përfitojnë nga kjo amnisti të gjitha veprat penale që bëjnë pjesë në veprimtarinë e krimit të organizuar, përfshirë dhe kundërvajtjet penale që kanë të bëjnë me fshehjen dhe mospagimin taksave. Po kështu, nuk përfshihen të gjithë zyrtarët e lartë, si dhe personat e lidhur me ta që kanë apo kanë pasur detyrimin për deklarim të pasurisë së tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›