Shtubina bën “Mesin”, kualifikohen shkodranët
ADMIR URUÇI
Vllaznia është kualifikuar për në turin e dytë të Ligës së Evropës, pas barazimit 1-1, dje kundër Sligo Rovers, në stadiumin “Loro Boriçi”. Goli fantastik i Shtubinës në minutën e 42-të i dha garanci kuqebluve, por në fund, ankthi ishte i pranishëm, e aq më tepër kur pas daljes me karton të kuq të kapitenit Vioresin Sinani, irlandezët barazuan rezultatin me mbrojtësin Alan Kin. Gjithsesi, nisur edhe nga fitorja 2-1 në ndeshjen e parë në transfertë, mund të quhet një kualifikim mëse i merituar i shkodranëve, që edhe në sfidën e kthimit, zhvilluan një lojë me synimin për të triumfuar. Tashmë, ekipit të Hasan Likës i duhet të mendojë për turin e dytë kualifikues, aty ku i pret një skuadër e njohur, si Rapidi i Vjenës.
Ndryshimet
Sfida e kthimit me Sligo Rovers solli ndryshime në formacionin shkodran. Trajneri Lika paraqiti një ekip më sulmues nga ai i ndeshjes së parë në Irlandë. Me Safet Osjen në stol, nga minuta e parë luajti përkrah kapitenit Vioresin Sinani, sulmuesi 18-vjeçar Bekim Bala. Mesfusha ishte e njëjtë, ndërkohë që nga krahët vepronin Smajli me Hallaçin. Edhe Sligo Rovers u fut në fushë me një formacion krejtësisht sulmues, për të kërkuar gjithçka. Boko, Kretaro dhe Doherti, ishin rreziku numër një i Vllaznisë. Gjithashtu, krosimet nga krahu i majtë, me protagonist Holmes, jo pak herë vunë në vështirësi portierin Olti Bishani, i cili bëri një paraqitje të mirë.
Fillimi
Të përkrahur nga tifozëria shkodrane, kuqeblutë e nisin ndeshjen me vrull, duke u munduar të godisnin Sligon që në minutat e para. Loja është e shpejtë nga të dyja palët dhe që në fillim rastet për gol nuk mungojnë. Dyshja e sulmit te shkodranët, me kapitenin Sinani dhe të riun Bala është shumë e lëvizshme, ndërkohë që Nallbani me Belishën në qendër bëhen zotër të fushës shumë shpejt. Megjithatë, sa herë që dilnin në kundërsulm, irlandezët shfaqeshin të rrezikshëm, sidomos me sulmuesin Kratero. Në 20 minutat e para, Vllaznia mund dhe duhet të kishte shënuar me protagonist Balën, Sinanin dhe Kasapin. Loja gjatë mesit të pjesës së parë ekuilibrohet, ndërkohë që të dy ekipet janë të hapura.
Goli
Ligji i pashkruar i futbollit, “po nuk shënove, do pësosh” konfirmohet në këtë sfidë. Kështu, pas disa rasteve të Sligos, është mesfushori i talentuar, Ndriçim Shtubina, i cili merr për dore Vllazninë. Me një galopim “alla Mesi”, nga gjysma e fushës dhe falë një goditjeje tokazi, ai çliron kuqeblutë, duke shënuar një gol shumë të rëndësishëm. Pjesa e parë mbyllet nën presionin e Vllaznisë te porta e mbrojtur nga Brush. Më pas, të detyruar nga disavantazhi, irlandezët kalojnë në aventurë, ndërsa shkodranët kërkojnë të administrojnë rezultatin. Trajneri Lika u beson kundërsulmeve në pjesën e dytë. Në disa raste ato duhet të ishin shfrytëzuar më mirë nga Shtubina apo Sinani. Loja bëhet më e ndezur, pas disa rasteve të Sligos, e gjitahshtu kur dy kapitenët ndëshkohen me karton të kuq. Pas daljes së Sinanit, Vllaznia pëson gol nga Alan Kin, në një moment ku mbrojtja ishte e shpërqendruar.
skeda
Vllaznia – Sligo Rovers 1-1
Vllaznia: Bishani, Smajli, Beqiri (Bashiç 61’), Mrvaljeviç, Hallaçi, Kasapi (Sykaj 92’), Nallbani, Belisha, Shtubina, Bala (Nika 63’), Sinani.
Trajner: Hasan Lika
Sligo Rovers: Brush, Kin, Holmes, Ventre, O’Grady, Fenei, Kesh (Keli 57’), Rajan, Boko, Kretaro, Doherti (Morrison 65’).
Trajner: Paul Kuk
Shënues: Shtubina 42’, Kin 84’
Gjyqtarë: M.Borg, I.Spiteri, M.Debono (Maltë)
Kartonë të verdhë: Bala, Kasapi, Sinani
Kartonë të kuq: Sinani, O’Grady