Flamurtari përballet me Madheruellin
Ka marrë fund enigma e kundërshtarit të Flamurtarit në turin e dytë të Ligës së Evropës. Përballë vlonjatëve do të jetë më 16 korrik skuadra skoceze e Madheruellit, e cila u kualifikua mbrëmë për në turin e dytë të kompeticionit në fjalë, pasi mundi në transfertë skuadrën e Lanelit 0:3. Kualifikimi i Madheruellit ka ardhur jo si një surprizë, por më shumë si një shpalosje vlerash të skocezëve, që kishin humbur takimin e parë në fushën e tyre me rezultatin 0:1. Të gjithë i kishin kujtuar të mbaruar, por ata mbrëmë zgjidhën çështjen e kualifikimit që në pjesën e parë, duke fituar me rezultatin 2:0. Në pjesën e dytë shënuan dhe golin e tretë dhe u dhanë fund ëndrrave të Lanelit për kualifikim. Kësisoj Madheruelli është kundërshtari i Flamurtarit në turin e dytë të Ligës së Evropës, ku ndeshja e parë do të zhvillohet në Vlorë më 16 korrik, ndërsa ajo e kthimit më 23 korrik.