Shtyhet dialogu, për fajin e Serbisë
Serbia ka vendosur ta sabotojë raundin e gjashtë të dialogut me Kosovën, që ishte planifikuar të mbahej të mërkurën (sot) në Bruksel.
Kryenegociatori serb, Borislav Stefanovic e ka njoftuar të martën ndërmjetësin e BE’së në bisedime, Rober Ccoper, se nuk është i gatshëm ta pranojë pakon e dytë të marrëveshjeve që ka të bëjë me tregtinë e lirë, telekomunikacionin, energjinë dhe regjistrat kadastralë.
Pas kësaj tërheqjeje të Serbisë, Cooper ka njoftuar se takimi i paraparë për të mërkurën është anuluar dhe deri në muajin shtator më nuk do të ketë takime mes palëve.
“Kemi marrë vendim që të anulojmë takimin e nesërm të dialogut dhe i kam informuar që të dy palët për këtë”, ka thënë Cooper të martën, për të shtuar se takimi është shtyrë meqë nuk dukej se palët do të dakordoheshin për ndonjë marrëveshje.
“Tash jemi në fazën e diskutimeve, ku jemi shumë afër marrëveshjeve për disa çështje dhe nuk ka pse të mbahet takimi përderisa nuk jemi në gjendje që të arrijmë ndonjë marrëveshje”, ka thënë i dërguari i BE’së në dialogun Prishtinë-Beograd.
Ai, megjithatë, shpreson se në shtator marrëveshja do të arrihet.
“Ishte e qartë se kjo nuk do të ndodhte nesër, kështu që vendosëm se do të ishte më mirë që të mos kishte takim, por të rifillojmë në shtator, kur mendoj se do të ketë një perspektivë më të mirë për pajtueshmëri për çështje të caktuara”, tha Cooper në një deklaratë për media, të martën pasdite.
Pas anulimit të raundit të gjashtë të bisedimeve, ka reaguar edhe shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, e cila bashkë me anëtarët e tjerë ndodhet në Bruksel.
Zëvendëskryeministrja Tahiri ka fajësuar Serbinë për dështimin e takimit.
“Raundi i gjashtë i dialogut është anuluar me fajin e palës serbe, e cila nuk është treguar e gatshme ta pranojë marrëveshjen për tregtinë e lirë, përkatësisht njohjen e vulave të Doganave të Kosovës, të njohura tashmë nga Bashkimi Europian. Me këtë qëndrim, Serbia vazhdon të shkelë parimet e lëvizjes së lirë të mallrave, si një prej parimeve fundamentale të Bashkimit Europian”, ka thënë Tahiri.
Ajo ka porositur Serbinë që orientimi proeuropian nuk bëhet me retorikë, por me politika e vendime proeuropiane.
Tahiri ka vlerësuar angazhimin e BE’së për dialogun teknik, duke potencuar se pala kosovare do të vazhdojë përkushtimin për dialogun, me besimin se ai është në dobi të qytetarëve dhe të integrimit sa më të shpejtë të Kosovës në BE.
Për arsyet e shtyrjes së raundit të gjashtë, të martën ka folur edhe Borko Stefanovic, i cili ka konfirmuar se pala serbe nuk ka qenë e gatshme për arritjen e marrëveshjeve që ishin përgatitur për të mërkurën.
“Pala kosovare ka insistuar në elemente të shtetësisë në zgjidhjet e propozuara, çka është e papranueshme për ne. Kanë kërkuar që Telekomi plotësisht të hiqet nga Kosova, që në vulën doganore të jetë stema e tyre, që kadastra të mos harmonizohet, por vetëm të jetë lëndë krahasuese”, ka thënë Stefanovic për “Blic”.
Sipas tij, shtyrja nuk është shqetësuese për shkak se pushimi do të bëjë të mundshëm më shumë kohë për marrëveshje, për video konferenca dhe për harmonizim.