Si e refuzoi ardhjen e Nënë Terezës në Shqipëri
Nënë Tereza tentoi të shkonte në Ambasadën shqiptare në Romë për të gjetur një mundësi për të parë edhe një herë motrën dhe nënën. Nga ambasada i vjen një përgjigje: “Nuk dëshirojmë të flasim me ty”. Duke dalë, Nënë Tereza qante. U ndal dhe ktheu sytë nga qielli e tha: “Zot, unë pranoj këtë vuajtje për ty, por për nënën time të gjorë është e vështirë ta kuptojë dhe ta pranojë. Prej vuajtjeve nga pleqëria, ajo dëshiron vetëm të më shikojë, sikur edhe një herë të vetme...”. Atëherë u mundua të krijonte lidhje përmes kanaleve të tjera për të hyrë në Shqipëri, por pa sukses. I tha të vëllait: “Deri më sot, me lutje e dashuri kam arritur të fitoj çdo gjë, por ka disa mure e disa barriera që dashuria nuk arrin t’i kalojë”. Pak kohë pas këtyre përpjekjeve, Nënë Tereza merr një letër prej së motrës, Age, përmes së cilës nëna i thoshte: “Nëse nuk shihemi në këtë tokë të mjerë bija ime, me siguri që do të shihemi sërish në qiell”. Më 12 korrik të vitit 1972, vëllai Lazër merr një telegram nga Tirana: “Sot, më 12 korrik, në orën 5 Lokja vdiq”. Më 14 korrik nga Palermo vëllai i telegrafon Nënë Terezës: “Lutu për Loken që ka ndërruar jetë”. Nënës nuk iu lejua as të merrte pjesë në funeral. E njëjta gjë do të ndodhë edhe më vonë për motrën Age.
#