Shtyhet gjyqi ndaj Tymoshenko-s, më 10 korrik seanca

Një gjyq i dytë ndaj udhëheqëses së opozitës ukrainase, Yulia Tymoshenko, u shty për në datën 10 korrik, pas përfundimit të Kampionatit Europian të futbollit.
Ambasadorë dhe të dërguar të lartë të BE-së ishin të pranishëm në sallën e gjyqit ditën e hënë, teksa u vendos që nisja e procesit për evazion fiskal të shtyhet.
Bashkimi Europian ka akuzuar Kievin zyrtar për montimin e një procesi politik, ndaj udhëheqëses së parë femër të vendit, aktualisht e burgosur me shtatë vjet heqje lirie, pasi u gjet fajtore për abuzim me detyrën, gjatë vitit 2011.
Në shenjë proteste ndaj burgimit të saj, liderat e vendeve europiane kanë bojkotuar në mënyrë të përbashkët ndeshjet e Europianit në Ukrainë dhe do të mungojnë edhe në finalen e 1 korrikut.
Gjykata e Kharkivit, ku Tymoshenko po ndiqet, justifikoi vonimin e procesit me dhënien e kohës për ekzaminimin mjekësor të lideres që ka vuajtur nga disa probleme serioze, që prej fillimit të burgosjes së saj.
Më parë gjatë prillit, ajo akuzoi gardianët e burgut ku mbahet se e kishin keqtrajtuar fizikisht, ndërsa publikoi disa fotografi ku shfaqeshin shenja të dukshme abuzimi, duke krijuar një valë të re kritikash ndaj presidentit Janukovych.
Nëse do të shpallet fajtore, dënimi i Tymoshenkos 51-vjeçare mund të zgjatet nga shtatë vjet, deri në 18 vite heqje lirie.