E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet gjyqi për Veliajn, SPAK: Drejtoria e Burgjeve nuk e njoftoi, të verifikohet shkaku

Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë sërish. Gjatë seancës, avokati Plarent Ndreca ngriti shqetësimin se një pjesë e fashikujve hetimorë nuk i janë vënë në dispozicion klientit të tij.

Nga ana tjetër, kreu i SPAK, Altin Dumani, kërkoi sqarime lidhur me mosnjoftimin e të pandehurit për datën dhe orën e seancës. Ai theksoi se kjo situatë përbën shkak për moszhvillimin e procesit dhe kërkoi marrjen e masave përkatëse, duke sugjeruar që në rast shtyrjeje, seanca e radhës të caktohet sa më shpejt.

Në përfundim, gjykata vendosi shtyrjen e seancës dhe urdhëroi Drejtorinë e Burgjeve të informojë mbi arsyet e mosnjoftimit të Erion Veliaj për seancën e sotme. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 27 prill, në orën 12:00.

Veliaj ndodhet në paraburgim në Durrës që prej 10 shkurtit të 2025-ës. Të pandehur për këtë dosje janë dhe Ajola Xoxa, bashkëshortja e Erjon Veliajt, si dhe 28 persona e shoqëri.

Kryebashkiaku akuzohet për përfshirje në disa raste korrupsioni, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe me disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›