Rama dhe Veliaj, të ftuar në prezantimin zyrtar të kandidaturës së Obamës
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, janë ftuar të marrin pjesë në Konventën e Partisë Demokrate Amerikane, që do të zhvillohet në datën 23 gusht në Denver. Në këtë konventë pritet të bëhet prezantimi zyrtar i kandidatit për president të demokratëve, Barak Obama. Sipas burimeve në selinë rozë, në drejtim të dy drejtuesve më të lartë të Partisë Socialiste ka mbërritur ftesa për të qenë prezent në këtë konventë të veçantë, ku Barak Obama do të marrë zyrtarisht bekimin e Partisë Demokrate Amerikane në misionin për t’u zgjedhur President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo u mundësua pasi ai fitoi zgjedhjet brenda Partisë Demokrate kundër rivales së tij, bashkëshortes së ish-presidentit Bill Klinton, Hilari Klinton. Tashmë për Barak Obamën pengesa e vetme drejt rrugës për në Shtëpinë e Bardhë është kandidati republikan Xhon Mekean. Megjithatë Obama konsiderohet më favorit për të fituar zgjedhjet presidenciale. Në konventën e demokratëve do të marrë pjesë edhe drejtuesi i lëvizjes politike “G99”, Erion Veliaj. Të ftuar në këtë aktivitet do të jenë edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila do të përfaqësohet nga koordinatori për Marrëdhëniet me Jashtë, Dorian Duçka.
22 Gusht 2008