Shtyhet regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike e fetare

Regjistrimi i popullsisë, i cili duhet të niste në muajin prill do të shtyhet për në vjeshtë. Zyra e shtypit e Ministrit të Inovacionit, Genc Pollo ka pohuar se është vendosur shtyrja e regjistrimit pasi ky proces përkonte në një kohë kur pushteti vendor është i angazhuar me zgjedhjet lokale.
Sipas zëdhënëses së ministrit Pollo, në fillim të kësaj jave do të mblidhet Komisioni Qendror i Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave i cili do të vendosë nëse procesi i regjistrimit do të kryhet gjatë muajit tetor ose nëntor.
Sipas të dhënave paraprake, deri tani bëhet fjalë vetëm për shtyrje të fillimit të regjistrimit dhe jo përjashtimin e deklarimit të kombësise dhe fesë, cështje këto të kontestuara masivisht këto javët e fundit.
Regjistrimi popullsise mbi baza etnike dhe fetare eshte bere objekt debati ditët e fundit, sidomos pas deklaratave te konsullit grek ne Korce ku bente thirrje vllehve te regjistrohen si greke. Fenomeni i ndërrimit të kombësisë nga shqiptarë në grekë në jug të vendit u denoncua nga nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, ndërkohë që kjo çështje është tashmë në Gjykatën Kushtetuese.