Regjistrimi, tërhiqet qeveria

Pas debateve dhe kundërshtive të forta të zyrtareve, historianëve, komuniteteve fetare, por edhe politikes, për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike e fetare, qeveria është detyruar ta shtyje këtë proces. I kontaktuar nga Vizion Plus, ministri i Inovacionit, Genc Pollo, njëherazi kryetar i komitetit ndërministror për regjistrimin e popullsisë tha se procesi do të bëhet pas zgjedhjeve vendore. Sipas Pollos, komiteti pritet të zhvillojë një mbledhje javën që vjen për të zyrtarizuar këtë vendim, me argumentin se zgjedhjet e pritshme mund të ndikojnë negativisht në këtë proces. Duke qenë se regjistrimi do të kryhej nga përfaqësues të bashkive dhe komunave, njerëz të cilët do të jenë pjese e garës për zgjedhjet lokale, një proces i tillë do të ndikonte hedhjen e të dhënave në mënyrë të pasaktë. Ndaj komiteti pritet të vendosë që afati i rifillimit të punës të jetë muaji nëntor i këtij viti. Procesi i regjistrimit është bërë objekt i debateve të forta, sidomos pas deklaratave të konsullit grek në Korçë, i cili i bënte thirrje qytetareve që të ndryshonin kombësinë. Pas tyre, nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu reagoi ashpër, duke dalë jo vetëm kundër ligjit që lejon ndryshimin e kombësisë, por edhe ndaj regjistrimit etnik e fetar. Aktivistët e klubit të patriotëve të rinj kanë zhvilluar në Fier protestën e radhës kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Me thirrjet Shqipëria është e jona, Himara është Shqipëri etj, ata kane marshuar në rrugët kryesore të Fierit duke mbajtur edhe flamuj si dhe pankarta kundër regjistrimit. Protestës i janë bashkuar edhe dhjetëra qytetarë fierakë. Pasi kanë kënduar edhe himnin kombëtar, tubuesit janë shpërndarë qetësisht, duke deklaruar se do të vazhdojnë protestat deri në shfuqizimin e plotë të vendimit për regjistrimin mbi baza etnike dhe fetare.
Shpërndaje