Shtyhet seanca e Mubarakut dhe ndalohet transmetimi i saj

Ahmed Refat, gjykatës në procesin gjyqësor ndaj ish-presidenti egjiptian Hosni Mubarak, ka shtyrë seancën deri me 5 shtator, dhe ka ndaluar transmetimin televiziv të drejtpërdrejtë në seancën e radhës.
Gjyqtari gjithashtu urdhëroi që të bashkohej në procesin gjyqësor edhe ish-ministri i brendshëm Habib el-Adli.
Mubarak është kthyer sot në gjykatë për t`u përballur me akuzat për urdhrat për vrasjen e protestuesve gjatë kryengritjes së këtij viti kundër pushtetit të tij dhe për korrupsion.
Ai mund të përballet me dënimin me vdekje nëse shpallet fajtor.
83-vjeçari është sjellë sërish sot në gjykatë me barrelë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Ai i ka mohuar të gjitha akuzat. Mubarak është duke u gjykuar me të dy djemtë e tij, të cilët po ashtu akuzohen për korrupsion.
Ndërkohë gjatë mbajtjes së seancës në afërsi të gjykatës shpërthyen përleshjet mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të Mubarakut
Rreth 850 persona u vranë dhe mbi 6000 u plagosën gjatë kryengritjes kundër Mubarakut në muajin shkurt.