Kinë, keqinterpretime për ambasadorin amerikan

Shtypi shtetëror kinez, shkruan se pritja e ngrohtë që iu bë ambasadorit të ri amerikan në Pekin, nuk duhet keq-interpretuar si një zgjidhje e problemeve mes dy vendeve.
Ambasadori i ri, Gary Locke, është me prejardhje kineze dhe mbërritja e tij në Kinë, shkaktoi një sensacion në shtyp, kur ai doli nga aeroporti duke i mbajtur vetë bagazhet dhe duke udhëtuar me një makinë modeste.
Por agjencia shtetërore kineze “Hsinhua”, vë në dukje sot një sërë problemesh me të cilat do të ndeshet ambasadori i ri, si tensionet tregëtare, marrëdhëniet ushtarake dhe borxhi amerikan.
Agjencia “Hsinhua” shprehet se misioni i ambasadorit Locke, do të jetë më i rëndë sesa valixhja që ai mbante gjatë rrugës për në Pekin.
Një gazetë tjetër, “The Global Times”, shkruante se origjina kineze e ambasadorit të ri nuk do të thotë zbutje qëndrimi kur bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave të Shteteve të Bashkuara.