E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet seanca ndaj Bollanos, mungon avokati i tij

Kryetari i trupit gjykues tha se avokati mbrojtësi Bollanos ishte në një çështje në Gjykatën e Lartë. Per kete arsye kryegjyqtari planifikoi seancën e radhës në prill. Bollano akuzohet se hoqi tabelat ne shqip ne aksin Qeparo-Llogara 

VLORË-Seanca gjyqësore e radhës në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Himarës Vasil Bollano, u shty sot për shkak të mungesës në sallë të avokatit mbrojtës të tij.
Kryetari i trupit gjykues, Shkëlzen Selimi, bëri të ditur se avokati mbrojtës, Petraq Curri, ishte angazhuar në një çështje në Gjykatën e Lartë, duke njoftuar zyrtarisht për këtë. Nga ana e tij, përfaqësuesi i organit të akuzës, prokurori Sokol Malaj kërkoi shtyrjen e seancës, gjë që u pranua nga trupi gjykues, që planifikoi për të seancën e radhës në datën 7 prill.
Seanca e sotme, që ishte e 14-ta, në çështjen gjyqësore në ngarkim të kryebashkiakut himariot pason atë të 10 marsit, kur Prokuroria e Vlorës kërkoi 1 vit burg dhe 500 mijë lekë gjobë për Bollanon, i cili akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Shkak për këtë çështje është bërë një urdhër, që është lëshuar prej tij në muajin tetor të vitit 2007 për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe në aksin rrugor Qeparo-Llogara, gjë që, sipas Prokurorisë, ka sjellë një dëm prej rreth 2.1 milionë lekësh.
Këto tabela ishin vendosur në kuadrin e një projekti për zhvillimin e turizmit i shtrirë përgjatë gjithë bregdetit nga Vlora në Sarandë, i financuar nga Ministria e Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve.
Përmes këtyre tabelave evidentoheshin objektet me vlerë historike, arkeologjike e turistike të zonës, mes të cilave plazhi i Dhërmiut, kalaja e Himarës, kalaja e Porto Palermos etj.
Gjatë fazës së hetimit, Bollano ka pranuar se ka dhënë një urdhër për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe, por ai ka pretenduar se për vendosjen e tyre nuk ishte marrë leje nga bashkia.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›