E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shtyhet seanca paraprake për dosjen “Partizani”, Gjokutaj: Nuk ka fakt penal, kërkojmë pushimin e çështjes

Seanca paraprake për dosjen e ish-kompleksit Partizani është shtyrë për më 11 prill në orën 9:30 për shkak të mungesës së një prej avokatëve të palës mbrojtëse.

Në seancën e ardhshme, Gjykata e Posaçme për Krimet e Rënda (GJKKO) pritet të vendosë nëse dosja do të kalojë apo jo për gjykim, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, ka deklaruar se shtyrja është bërë për arsye procedurale dhe ka sqaruar se qëndrimi i tyre ndaj akuzave ka qenë i qartë që në fillim, duke theksuar mungesën e faktit penal dhe kërkuar pushimin e çështjes.

“Shkaku ishte procedural për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të njërit prej palëve për arsye shëndetësore. Seanca është vendosur më 11 në orën 9.30. Në këtë seancë ishin kontestimet e prokurorisë ndaj qëndrimit tonë. Ne nuk kemi qëndrim variabël por e kemi shprehur që ditën e parë, mungon fakti penal. Ne jemi të obliguar të kërkojmë pushimin e çështjes pasi nuk ka çështje”, tha Gjokutaj.

Sali Berisha është akuzuar për korrupsion pasiv dhe është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa Jamarbër Malltezi ndodhet në “arrest shtëpie” për akuzën e korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Në këtë dosje janë nën akuzë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.

Berisha akuzohet se lejoi një zinxhir të tërë institucioni që të shkelte ligjin duke i kthyer ish-kompleksin Partizani ish-pronarëve, me dhëndrin e tij si përfituesin kryesor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›