E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet sërish gjykimi ndaj Albin Kurtit


Procesi gjyqësor kundër liderit të lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti, është shtyrë për datën 13 prill.

Shtyrja është bërë për shkak të mungesës së Kurtit në këtë seancë, por edhe për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës, Ramiz Krasniqi dhe gjykatëses vendore në panel, Fllanza Kadiu.

Para fillimit të seancës gjyqësore kundër Albin Kurtit, në selinë e lëvizjes "Vetëvendosje" lideri i kësaj lëvizjeje mbajti një konferencë për shtyp.

Gjatë kësaj konference, Kurti deklaroi edhe njëherë se nuk do t'i përgjigjet ftesës së EULEX-it për t'u paraqitur në seancë gjyqësore.

Gjate kohës sa po mbahej konferenca, dhjetëra aktivistë të "Vetëvendosje" ishin mbledhur në oborrin e lëvizjes.

Albin Kurti akuzohet për "pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues".

Lideri i Lëvizjes "Vetëvendosje" e ka cilësuar procesin gjyqësor kundër tij të motivuar politikisht.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›