E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet sërish gjyqi ndaj Dritan Dajtit

Mungesa e herpashershme e avokatëve të Dritan Dajtit vijon të mbajë të bllokuar procesin gjyqësor ndaj autorit të masakrës së Durrësit. Trupa gjykuese e krimeve të rënda e cila ka në gjykim çështjen "Dajti", ka kërkuar vënien në dijeni të Dhomës së Avokatisë për marrjen e masave ndaj avokatit Esat Haderaj për mungesat e herpashershme në proces, mungesa të cilat pengojnë vijimin e gjykimit.

Për të shmangur vonesa të tjera në proces, gykata caktoi avokaten Valentina Teodoreska si mbrojtëse të Dritan Dajtit, deri në paraqitjen e avokatëve të tij në seancat gjyqësore.

Nga ana e saj avokatja Teodoreska, në seancën e ditës së mërkurë kërkoi shtyrje të gjyqit, për tu njohur me procesberbalet si dhe detajet e hollësishme të procesit. Kjo kërkesë e avokates u pranua nga trupa gjykuese ndërsa seanca e radhës në gjykatën e krimeve të rënda u caktua në datën 16 dhjetor. Në këtë seancë ishte i pranishëm edhe i pandehuri Dritan Dajti ndërsa mungonte i pandehuri tjetër, kunati i Dajtit, Ergest Xhoxhi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›