Shtylla i dorëzon dorëheqjen Ramës

Zamir Shtylla, drejtor i hetimeve në Prokurorinë e Përgjithëshme ka dhënë dorëheqjen e tij nga posti si dhe nga kreu i grupit të hetimit për çështjen e "Gërdecit". Shtylla një prej emrave më të përfolur dhe një nga më të akuzuarit nga mazhoranca si nga persekutorët e sistemit komunist ka paraqitur dorëheqjen e tij në zyrën e kryeprokurores Ina Rama pak minuta pas hyrjes në fuqi të ligjit të dosjeve. Shtylla ka dorëzuar shkresën e dorëheqjes në momentin e mbarimit të orarit zyrtar të punës duke zyrtarizuar kështu lajmin e largimit të tij. Shtylla nga ana e tij nuk ka dashur të bëjë asnjë koment në lidhje me këtë dorëheqje dhe ka preferuar të mbyllë telefonin e tij. Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga zyra e shtypit e kryeprokurores Ina Rama e cila tashmë ka në dorë shkresën e Shtyllës të cilët do të duhet ti japë përgjigje shumë shpejt. Burimet zyrtare thanë se kryeprokurorja Rama do të shqyrtojë kërkesën e drejtorit të Hetimit nëse do ta pranojë apo jo dorëheqjen e tij. Nuk janë bërë të ditura motivet që Shtylla ka parashtruar në dorëheqjen e tij, por sipas informacioneve ky largim ka të bëjë pikërisht me hyrjen në fuqi të ligjit të lustracionit të figurave. Shtylla është një nga zyrtarët kryesorë që preket nga ligji në fjalë pasi me hyrjen në fuqi ai futej automatikisht në listën e atyre që duhet të lënë detyrën në sistemin e drejtësisë, si ish-hetues në gjyqe politike. Pikërisht Zamir Shtylla, por edhe prokurorët që hetojnë çështje të rëndësishme korruptive, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj kushtetuese kane përbëre kritikën më të fortë të opozoitës e cila nuk votoi ligjin e dosjeve. Ky ligj u miratua në 22 dhjetor në Parlament mes kritikave të forta të faktorit ndërkombetar dhe opozitës vetem me votat e maxhorancës.