Shtypi: Kapelo ka ndërtuar Anglinë
Koha e bukurosheve ka përfunduar përgjithmonë: Fabio Kapelo ka transformuar një bandë heronjsh komikë në veteranë lufte, kurajozë dhe triumfues. Të nesërmen e suksesit të 4-të radhazi në eliminatoret e Botërorit, shtypi britanik celebron teknikun italian, i cili ka ditur të ndërtojë në pak muaj Kombëtaren angleze. "Anglia është perfekte, Runi specie e veçantë", titullon "Times", sipas të cilës sulmuesi i Mançester Junajtid ka bërë një "paraqitje magjike". Edhe pse Kapelo ka kërkuar të frenojë euforinë e medias ("kemi bërë vetëm një hap përpara"), e përditshmja autoritare nuk i kursen elozhet për teknikun dhe lojtarët. "Puna ndërtuese e Kapelos duket solide dhe Afrika e Jugut afrohet më shumë", komenton "Times", që kujton gjithashtu se si filli i këtij edicioni "është starti më i mirë i eliminatoreve të botërorëve të të gjitha kohërave". Pra, Kapelo "ka ringjallur një skuadër të copëtuar dhe i ka dhënë shpirt lojtarëve (futbollistikisht) të vdekur", të cilët tashmë duelojnë si "veteranë lufte, që në asnjë moment nuk i zë paniku". Përveç trajnerit, media britanike nuk i kurseu elozhet edhe për futbollistët, në veçanti për Uejn Runit, Stiven Xherrard e Emil Heski ("të gjithë të çmenduar për sulmuesin që nuk shënon kurrë"), shkruante "Mirror".