Shtyrja e miratimit të ligjeve, aksioni i ri politik i PS-së

Ligji “Për Gjykatën e Lartë” - debat mes pozitës dhe opozitës në Komisionin e Ligjeve
Pas kërkesës për ta shtyrë heqjen e imunitetit për në shtator, me të njëjtën frymë opozita u paraqit edhe në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, teksa kërkoi të shtynte shqyrtimin e ndryshimeve që qeveria ka propozuar në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë.
Nënkryetari socialist i Komisionit, Fatmir Xhafaj tha se ligji është i rëndësishëm dhe se opozitës i duhej kohë për t’u njohur me të, dhe se po ashtu duhet kohë edhe për zhvillimin e seancave dëgjimore. “Do na duhet koha e nevojshme për ta studiuar projektligjin dhe për të parë nëse ai është vazhdim i asaj që kemi trajtuar në ligjin ‘Për Gjykatën administrative’ apo ka lidhje me funksionimin e Gjykatës së Lartë. Ligji ‘Për Gjykatën e Lartë’ është mjaft i rëndësishëm dhe nuk kemi pse ngutemi. Sipas rekomandimeve të Stefano Saninos kemi kohë deri në shtator për ta çuar ligjin në Kuvend”, u shpreh nënkryetari socialist i komisionit, Fatmir Xhafaj.
Ndërsa, kryetari i komisionit, Ilir Rusmali theksoi se koha që kërkon opozita rrezikon statusin e vendit kandidat në BE të Shqipërisë.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali kërkoi që, “socialistët të ishin të qartë në atë çfarë kërkonin, të sqaronin, siç ai u shpreh, nëse koha e përshtatshme për ta ishte brenda këtij sesioni, pasi Shqipëria të marrë në vjeshtë përgjigjen për statusin e kandidatit apo pas janarit kur Gjykata Administrative duhet vënë në funksion”.
Por, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i pranishëm në komision tha se drafti është depozituar në Kuvend që më 8 qershor dhe deputetët kanë pasur kohë që ta shqyrtojnë.
“Kanë pasur kohën nga data 8 qershor deri më sot të shqyrtojnë komplet draftin, dhe drafti ka 13 nene”, tha Eduart Halimi, ministër i Drejtësisë.
Sidoqoftë ministria e Drejtësisë do të vërë në dispozicion të opozitës çdo informacion të kërkuar brenda ditës së sotme, ndërsa nesër paradite pritet të dëgjohet kryetarja e Gjykatës së Lartë, nëse Shpresa Beçaj, do të jetë e gatshme të paraqitet në komision.
Miratimi në Kuvend i projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë”, si pjesë e ligjeve të reformës në drejtësi, kërkon një shumicë të cilësuar prej 3/5 e votave të anëtarëve të parlamentit.
Me ndryshimin e ligjit të Gjykatës së Lartë trupa e saj shtohet me dy anëtarë. Të 19 anëtarët do të punojnë në tre dhoma, penale, civile dhe administrative. Vendimet për disa çështje do të merren jo më me 5, por me 3 gjyqtarë. Kriteret e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe kandidimi i tyre është i mirë-përcaktuar dhe transparent, sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Të bëhesh anëtar i Gjykatës së Lartë me ligjin e ri do të kalosh patjetër dhjetë vite punë në shkallën e parë dhe 5 vite të tjera në apel.