E Martë, 3 Nëntor 2026

Shuhet Margarita Xhepa, ikona e skenës dhe kinematografisë shqiptare

TIRANË, 3 prill /ATSH/ U nda nga jeta aktorja e njohur, ikona e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa.

Vetëm një ditë më parë ajo mbushi 91 vjeç. Nderi i Kombit, Margarita Xhepa ishte artistja që i dha jetë dhe përjetësoi shumë personazhe që janë skalitur në kujtesën e miliona shqiptarëve.

Ylli i kinematografisë mbylli sytë në një nga spitalet e kryeqytetit. I biri, aktori Ndriçim Xhepa, konfirmoi lajmin për mediet duke thënë se prej kohësh kishte qenë e rënduar nga problemet me mushkëritë.

Margarita Xhepa, një nga zonjat më të mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, gjatë karrierës së saj, ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi.

Aktorja Margarita Xhepa lindi më 2 prill 1934 në Lushnjë. U aktivizua fillimisht në Estradën e Shtetit dhe më pas në Teatrin Popullor. Spikati në plejadën e kohës përmes interpretimit të rolit të Ofelisë të tragjedisë shekspiriane “Hamleti”, vënë në skenë në vitin 1960 prej regjisorit rus Bortko.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë pasi shprehu me hidhërim të thellë ngushëllimet për humbjen e Margarita Xhepës, renditi rolet më të spikatura të saj: Majlindën te filmi “Majlinda” (Xh. Broja), Dafina te “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja te “Cuca e maleve” (Loni Papa), Zonja Mëmë te “Kush e solli Doruntinën” (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna te “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha) etj.

Nga repertori i roleve të dramaturgëve me famë botërore, ku, gjithashtu, ka njohur suksese me interpretimin e saj, mund të përmendim interpretimin në rolet e spikatura të tragjedive të Shekspirit, si, Ofelia te“Hamleti”, vajza e dytë te “Mbreti Lir”, Dado te “Romeo e Zhuljeta”, Mbretëresha Margaret te “Rikardi III”.

Nga rolet e tjera të realizuara nga dramaturgjia botërore mund të veçojmë: Klea tek “Dhelpra dhe rrushtë” (Figereido), Lena tek “Xhaxha Vanja” (Çehov), Ledi Milford tek “Luiza Miler” (Shiler), Zonja Berling tek “Vizita e Inspektorit” (Pristli), Zonja Lomen tek “Vdekja e një Komisioneri” (A. Miller), Ana Andrejevna tek “Revizori” (Gogol), Marsela tek “Qeni i Kopshtarit” (De Vega), Mashenka tek “Mashenka” (Afigenov), Shejla tek “Morali i Zonjës Dulska” (Zapolska), apo Dado tek “Elektra” e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë në Athinë.

I pasur është edhe repertori i roleve të realizuar në ekranin e madh të kinemasë. Pjesa më e madhe e tyre janë relizuar duke punuar me regjisorë shqiptarë, ndër të cilët mund të përmendim: “Vitet e para” dhe “Gjurmët” me Kristaq Dhamon, “Dimri i fundit”, “Tokë e Përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Ibrahim Muçajn e Kristaq Mitron, “Gjeneral gramafoni” me Viktor Gjikën, “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” me Esat Musliun, “Dora e ngrohtë” me Kujtim Çashkun, “Gurët e shtëpisë sime” me Dhimitër Anagnostin, “Pranvera s’erdhi vetëm” me Piro Milkanin, “Koncert në vitin 1936” me Saimir Kumbaron, “E diela e fundit” dhe “I dashur armik” me Gjergj Xhuvanin.

Në vitin 1997, interpretoi në filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u nderua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepës iu dha Çmimi i Nderit.

  1. “Bolero në vilën e pleqve” – (2021) Firdus
  2. “Në kërkim të kujt” (2011), serial
  3. “Tingulli i heshtjes” (2010) telenovela
  4. “Kronikë provincial” (2009)
  5. “Ne dhe Lenini” (2008) – Beti
  6. “I dashur armik” (2004) – Nëna e Harunit
  7. “Mirupafshim” (1997)
  8. “E diela e fundit” (1993)
  9. “Një djalë edhe një vajzë” (1990) – Mësuese Kristina
  10. “Vitet e pritjes” (1990) – Nëna e Helenës
  11. “Kush e solli Doruntinën” (1989) Nëna e Kostandinit dhe Doruntinës
  12. “Pesha e kohës” (1988) – Gruaja e Kryetarit
  13. “Pranvera s’erdhi vetëm” (1988) Nëna e Irenës
  14. “Misioni përtej detit” (1988) – Kristulla
  15. “Rrethi i kujtesës” (1987) – Tefta
  16. “Fillim i vështirë” (1986) Shoqja e Zanës
  17. “Gabimi” (1986) – Mësuesja
  18. “Gurët e shtëpisë sime” (1985) – Gruaja e Fane Mërtirit
  19. “Militanti” (1984) – Nëna e Visar Shundos
  20. “Apasionata” (1983) – Nëna e Arturit
  21. “Dora e ngrohtë” (1983) – Nëna e Besimit
  22. “Shokët” (1982) – Nëna e Gencit
  23. “Dita e parë e emërimit” (1981) – Drita
  24. “Me hapin e shokëve” (1979) (TV) – Mamaja e Gonit
  25. “Dollia e dasmës sime” (1978) – Nëna e Belës
  26. “Gjeneral gramafoni” (1978) – Zonja e Prefektit
  27. “Koncert në vitin 1936” (1978) – Eleni Jankollari
  28. “Dimri i fundit” (1976) – Shano
  29. “Pylli i lirisë” (1976) – Nënë Katja
  30. “Tokë e përgjakur” (1976) – Sandra
  31. “Gjurma” (1970) – Violeta
  32. “Vitet e para” (1966) – Zyraka

Veç çmimeve dhe titujve në karrierën e saj artistike si “Artiste e Popullit”, Margarita Xhepa është “Nder i Kombit” dhe u nderua me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit pas komunikimeve me familjen e së ndjerës, aktores së madhe Margarita Xhepa, njoftoi se homazhet do të mbahen nesër më datë 4 prill, në orën 10:00-13:00, në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

1 nga 5

/a.f//r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›