E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet familja nga Tropoja në aksident

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Aksidenti i rëndë ndodhi dje në Lezhë, duke marrë jetën e tre personave të së njëjtës familje dhe plagosjen e dy të tjerëve.Ngjarja tragjike ndodhi dje rreth orës 10:30 në superstradën Lezhë-Shkodër, në afërsi të fshatit Balldre, ku një makinë tip “Benz” në tentativë për të parakaluar u përplas me një mjet të tonazhit të rëndë. Për pasojë kanë vdekur në vend babë e bir dhe nusja e shtëpisë.
Trajleri me të cilin u përplas makina e viktimave ka dalë nga rruga dhe përfundoi në avllinë e një shtëpie, duke rrezikuar edhe jetën e banorëve që jetonin në të. Sipas policisë, mjeti i rëndë drejtohej nga Baftjar Vladi, ndërsa “Benzi” me targa të Tropojës drejtohej nga Ermal Dema. Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të vdekur në vend bashkëshortja e drejtuesit të “Benzit”, Ermira Dema, 25 vjeçe, babai i tij, Sali Dema si dhe vëllai Fadil Dema. Të katër pjesëtarët e familjes Dema mësohet se po udhëtonin nga Tropoja për në Tiranë. Sipas policisë, i plagosur rëndë mbeti edhe shoferi i “Benzit”, Ermal Dema, i cili ndodhet në rrezik për jetën, si dhe drejtuesi i tonazhit të rëndë, Baftjar Vladi. Të dy të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin e Lezhës. Pasi kanë marrë ndihmën e parë atje, ata janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi gjendja e tyre paraqitej mjaft e rëndë. Policia e Lezhës mbërriti në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit të dhënë. Blutë kanë mundur të zhbllokojë rrugën pas rreth 30 minutash, ndërsa për nxjerrjen e trupave nga makina është dashur të kërkohet ndihma e zjarrfikëseve, të cilët disponojnë mjetet për prerjen e llamarinave. Sipas burimeve në vendngjarje, repartit të zjarrfikëses dhe policisë i janë dashur mbi tri orë përpjekje për të nxjerrë trupat nga makina, e cila ishte shtypur pothuajse e tëra. Mësohet se makina trajler me targë TR 8470 D po udhëtonte në drejtim të Shkodrës kur është gjendur përballë “Benzit” me targë BC 0318 A, i cili po tentonte të parakalonte një makinë. Si pasojë e përllogaritjes së gabuar të kohës së parakalimit, makinat janë përplasur. Për nxjerrjen e trupave është dashur të përdoret edhe guri fresibël për të prerë pjesën e llamarinës së mjetit të aksidentuar. Ndërsa identifikimi i kufomave është kryer vetëm 30 minuta pas aksidentit, pasi telefoni i drejtuesit të “Benzit”, Ermal Dema, nuk ishte dëmtuar. Një telefonatë e kryer nga ana e tij vetëm pesë minuta para aksidentit ka bërë që efektivët e policisë të telefonojnë sërish numrin me të cilin viktima kishte folur. Kjo ka bërë që telefonuesi të tregonte edhe të dhënat dhe gjenealitetet e viktimave, të cilët udhëtonin me Ermal Demën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›