E Diel, 1 Nëntor 2026

Shërbimi i provës, merr 275 kërkesa

 

TIRANE – Në dy muaj kohë të ekzistencës së Shërbimit të Provës në sistemin gjyqësor, organit që do të mbikëqyrë zbatimin e dënimeve alternative, në të janë duke “kaluar në filtër” 275 urdhra për ekzekutimin e këtyre dënimeve. Shifra u bë e ditur dje nga Ministri i Drejtësisë, Enkeljed Alibeaj, gjatë një takimi të organizuar në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë. Në takimin që kishte për temë Shërbimin e Provës dhe marrëdhëniet e tij me burgjet, ishin të pranishëm Ministri i Punës dhe i Çështjeve Sociale, Viktor Gumi, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, Arben Sefgjini, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Gazmend Dibra, si edhe partnerët vendas e të huaj që kanë asistuar në Ministrinë e Drejtësisë në këtë proces. Gjatë diskutimeve dhe prezantimit të deritanishëm të punës së kryer nga zyra e Shërbimit të Provës, palët pjesëmarrëse paraqitën një tablo numrit të kërkesave për raporte vlerësimi nga gjykata, si edhe raportet e dorëzuara nga Shërbimi në gjykata. “Deri tani kanë ardhur 142 kërkesa për raporte vlerësimi nga gjykatat. Janë dorëzuar 26 raporte vlerësimi në gjykata. Janë në procesin e përgatitjes 54 raporte vlerësimi për gjykatat. Kanë ardhur 257 Urdhra Ekzekutimi nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore, për të cilat është caktuar specialisti i zyrës vendore për mbikëqyrjen”, u shpreh dje kreu i Shërbimit të Provës, Arben Sefgjini. Teksa po përmendte institucionet që kanë kërkuar raporte vlerësimi në Shërbimin e Provës, Sefgjini pohoi se “nuk kemi asnjë kërkesë nga prokuroria për Raport Vlerësimi në asnjë nga fazat e procedimit penal. Ndërsa nga ana e Gjykatës, kërkesa për Raport Vlerësimi është bërë veten në rastet e të dënuarve që kërkojnë ‘Lirim me kusht’, pra në fazën e ekzekutimit të dënimit”. Në takim u qartësuan edhe kushtet të cilat duhet të përmbushte një i dënuar i vënë në provë mes të cilave ishin mosshoqërimi me persona të dënuar, ushtrimi i veprimtarive profesionale, riparim i dëmit civil të shkaktuar në dëm të ndonjë shtetasi, si edhe vazhdimin e Fakultetit Juridik. Shërbimi i Provës është organ shtetëror që ndihmon dhe mbikëqyr zbatimin e dënimeve alternative, paraqet informacione dhe raporte para prokurorit ose gjykatës si dhe ndihmon personin e dënuar në kapërcimin e vështirësive për riintegrim social.              ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›