Policia nxjerr Patrullën e Përgjithshme në rrugë
Etleva Delia
Policia e Shtetit bëri dje bilancin e aksidenteve të muajit korrik 2009, nga ku rezulton të kenë ndodhur 148 aksidente, shifër kjo rekord në krahasim me vitet e kaluara. Nisur nga kjo situatë, specialistët e policisë kanë sugjeruar ngritjen e një grupi Task-Force, i drejtuar nga Patrulla e Përgjithshme, në mbështetje të Policisë Rrugore. Gjithashtu në shërbime të përforcuara kanë kaluar edhe forcat e rendit dhe forcat speciale, duke qenë se patrullat rrugore nuk mjaftojnë për të mbuluar të gjitha akset, ku çdo ditë po ndodhin aksidente me pasojë vdekjen. Sipas bilancit të policisë, vetëm gjatë muajit korrik në të gjithë vendin kanë ndodhur 148 aksidente, ndërsa në të njëjtin muajt të 2008-ës kanë ndodhur 105 dhe të 2007-ës 118. Nga të dhënat e policisë mësohet se nga këto aksidente që kanë ndodhur gjatë këtij muaji, kanë vdekur 48 persona dhe janë plagosur 46 të tjerë. Ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2008 kanë vdekur 25 e plagosur 33, dhe në vitin 2007 kanë vdekur 49 dhe janë plagosur 44.
MASAT E POLICISE
Policia ka vendosur që do të ketë masa të rënda ndëshkimore ndaj drejtuesve të automjeteve, të cilët nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Ky ka qenë vendimi që Policia e Shtetit do të ndërmarrë ndaj të gjithë drejtuesve të automjeteve që abuzojnë me shpejtësinë, alkoolin, nuk vendosin rripat e sigurimit, etj. Ky vendim vjen pikërisht në momentin kur aksidentet rrugore gjatë këtij sezoni turistik kanë krijuar një situatë shqetësuese në të gjithë vendin, ku gati çdo ditë shënohen viktima dhe të plagosur. Policia Rrugore, e mbështetur dhe nga policia e Rendit dhe e Forcave Lëvizëse Operacionale, tashmë ka kaluar në shërbim të përforcuar, duke shtuar prezencën në akset rrugore. Sipas statistikave të policisë, vetëm gjatë dy muajve të fundit, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar kanë hyrë dhe dalë nga Shqipëria 579 540 automjete, ose 133 mijë automjete më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Policia e Shtetit i kërkon të gjithë drejtuesve të automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet normat e sjelljes së Kodit Rrugor, dhe të ndërgjegjësohen për pasojat e rënda që sjell mos zbatimi i këtyre rregullave për ata, pasagjerët apo qytetarët e tjerë.