Shuhet filologu, historiani, përkthyesi i shquar Jorgji Qirjako

Pas një sëmundje të rëndë, sot në Londër u nda nga jeta filologu, historiani, përkthyesi i shquar Jorgji Qirjako.
Ai u lind në Kolonjë 70 vite më parë dhe ndoqi traditat më të mira patriotike kolonjare.
Pas përfundimit të universitetit me rezultate të shkëlqyera Jorgji Qirjako iu përkushtua promovimit të historisë dhe kulturës së vendlindjes së tij.
Për rreth 25 vjet, Qirjako udhëhoqi veprimtarinë kulturore dhe artistike në rrethin e Kolonjës, duke dhënë një kontribut të veçantë, në drejtimin dhe organizimin e ekspeditave arkeologjike, etnografike dhe folklorike, si dhe në përfaqësimin me dinjitet të grupeve përfaqësuese të Kolonjës në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Qirjako ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, veçanërisht në organizimin e Muzeut Historik të Kolonjës, duke e bërë atë një nga muzetë më të pasur me objekte arkeologjike, që nga lashtësia dhe me mjaft vepra të artistëve të njohur.
Ai kontribuoi në ngritjen e Muzeut të Kulturës Popullore, Muzeu i Arsimit në Rrethin e Kolonjës, si edhe Muzeun e Borovës.
Qirjako ka një meritë të veçantë në evidentimin e traditave patriotike të kulturës popullore, si edhe të figurave të shquara të historisë sonë kombëtare, nëpërmjet studimeve të ndryshme, organizimit të sesioneve shkencore dhe si autor i disa botimeve monografike.
Së fundi ai ishte zëvendësdrejtori i Institutit të Marrdhënive Ndërkombëtare.
Për veprimtarinë e tij ai është nderuar nga presidenti me Titullin “Mjeshtër i Madh”.