Shuhet zjarri tek “Komuna e Parisit”, Goxhaj: Po hetojmë shkaqet

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Ditën e sotme, rreth orës 11:05, në rrugën “Tish Daija”, ka rënë zjarr në katin e katërt të një ndërtese.
Policia e Tiranës njofton se shërbimet zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për fikjen e zjarrit.
“Shërbimet e Policisë po bëjnë të mundur evakuimin e banorëve”, njofton më tej policia.
Grupi Hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit, teksa forcat zjarrfikëse bën të mundur shuarjen e tij.
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj në një deklaratë për mediet tha se “ka pasur qytetar të bllokuar, kanë qenë Forcat e Shërbimit Zjarrfikës që u kanë hapur korridor dhe kanë mundësuar evakuimin e tyre. Jemi përmendur fillimisht tek evakuimi. Nuk kemi informacion për qytetarë të dëmtuar dhe as të asfiksuar.
Goxhaj theksoi se ende nuk janë të qarta shkaqet e rënies së zjarrit, dhe grupet e hetimit do të vazhdojnë me analizat për të përcaktuar arsyet e këtij incidenti.
“Do t’i përcaktojmë shkaqet. Për momentin e dëmtuar është zyra ku ka rënë vatra e zjarrit dhe pajisjet e aspirimit të kateve më lart. Për dëmet do të jemi këtu pasi specialistët tanë bashkë me Policinë e Shtetit do të jenë këtu të zbulojnë çdo gjë që ka ndodhur”, tha Goxhaj.
/a.f/r.e/