Shuleveku i mjekëve

I nderuari z.drejtor,
Nuk ju njoh personalisht e as që ju kam takuar ndonjëherë. Po ju drejtohem me këtë letër publike, sepse dua t’ju informoj juve dhe opinionin për një “zbulim” që e kam bërë fundjavën e shkuar lidhur me institucionin shëndetësor që e drejtoni ju. Ajo që unë për veten time e konsiderova zbulim, për qytetarët e Ferizajt ishte një sekret publik, të cilin e ndienin në lëkurën e tyre çdo ditë. Prandaj assesi nuk mund ta besoj që ju nuk jeni në dijeni për këtë „zbulimin“ tim të tmerrshëm. Për të mos shkaktuar keqkuptime si te ju, ashtu edhe tek lexuesit, fillimisht më duhet të theksoj se rrëfimi im personal në këtë faqe të gazetës nuk bëhet me qëllim të hakmarrjes ndaj askujt. Qëllimi i vetëm i tij është denoncimi publik i atyre që shkelin ligjin, etikën e mjekut dhe që me injorancën e tyre rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, të cilëve e kanë obligim t’u ofrojnë ndihmë adekuate në çdo kohë, sepse nga taksat e tyre marrin rrogë. Kronologjia e rrëfimit është kjo:
Të shtunën, 7 gusht 2010, rreth orës 17:00, me nipin tim në duar u futa në një nga ordinancat e shumta private që ndodhen përballë të të vetëquajturit Spital i Ferizajt për të kërkuar ndihmën e pediatrit për foshnjën e dehidruar. Ende pa dëgjuar hallin e foshnjës, mjekut (më duhet ta quaj mjek) i ra zilja e telefonit celular. Bisedoi dy-tre minuta me dikë, të cilit, me sa kuptova, ia shpjegoi fije për pe edhe një herë terapinë që ia kishte përshkruar. Me fytyrë të vrenjtur, thuajse i ishim futur me zor në ordinancë, dëgjoi për disa sekonda problemin që kishte foshnja njëvjeçare,nuk bëri asnjë pyetje, ia vuri stetoskopin në shpinë, ia kontrolloi fytin dhe veshët, nuk ia mati fare temperaturën, dhe e tha vetëm këtë fjalë: “Fyti”. Edhe sikur të kishte ndërmend të thoshte diçka më shumë nuk do të mundte, sepse sërish i bëri telefoni. E hapi telefonin dhe për dy tre minuta bisedoi sërish me dikë pa u lodhur për foshnjën e gjorë që mezi mbante kokën dhe për nënën që me shqetësim priste një këshillë për krizën që i kalonte i biri. Këtu durimi im mori fund dhe plasi sherri. “Njërën duhet ta bësh doktor, ose të flasësh në telefon, ose të merresh me pacientin, të dyja nuk mundesh”, reagova e nervozuar. Por, mjeku Musli Murseli si duket nuk ishte mësuar që dikush t’ia thoshte të vërtetën në fytyrë. U ngrit në këmbë dhe duke bërë me dorë nga dera më tha “Jashtë...dil jashtë! Unë jam zoti këtu, unë bëj çfarë dua...”. Ai me të vërtetë ishte zot brenda atyre katër mureve, por jo edhe mjek i përbetuar në profesionin e tij të shenjtë.
Gjendja e nipit tim sa vinte e keqësohej. Shkuam te ordinanca tjetër private, pak hapa tutje ordinancës së Murselit, dhe mjeku që vizitoi foshnjën i alarmuar na sugjeroi që ta dërgonim shpejt në emergjencën e spitalit, sepse temperatura e foshnjës tashmë kishte shkuar në 39 gradë dhe lëkura e saj njomëzake dëshmonte se ajo kishte humbur lëngjet e organizmit. Në emergjencën e spitalit tuaj, z. drejtor, na pritën shumë befasi. Emergjenca dukej e shkretë, pa roje te porta, pa njeri në sportelin e pranimit, pa mjekë e infermiere. Në zyrat e zbrazëta të emergjencës suaj kumbonte vetëm zëri i një kënge të Ilir Shaqirit që vinte nga televizori në dhomën e sportelit.
Dikur u hap dera e dhomës operative (kështu më dukej se quhej) dhe aty pashë një mjek dhe një infermier që po kryenin një intervenim tek një fëmijë. Nëna e tij doli duke qarë nga dhoma. Ishte situatë absurde. Nëna mundohej t’i përpinte lotët, ndërsa kënga jehonte edhe më shumë në dhomën përballë. Dhe unë, z. drejtor, lirshëm, pa më ndalur askush hyra në dhomën e sportelit, që kundërmonte duhmë duhani (tavlla me bishta cigaresh ishte aty, mbi një tavolinë) dhe ia ula zërin televizorit. Do të mund ta hidhja pa problem edhe ndonjë bombë në emergjencën tuaj dhe të dilja aty pa më parë askush.
Pasi kreu intervenimin tek djaloshi, infermieri u interesua pse ishim aty. Na tha se do ta thërriste pediatrin që ta kontrollonte foshnjën. Kaloi gjysmë ore dhe pediatri nuk erdhi. I thashë infermieres që tashmë ishte kthyer në sportel nëse mund ta thërriste edhe një herë mjekun, sepse foshnja mezi i hapte sytë, ndërsa balli i digjej nga zjarrmia. Ajo më tha se e kishin thirrur mjekun dhe ai do të vinte shumë shpejt. Madje, unë u shpreha e gatshme që të shkoja ta merrja mjekun me veturë kudo që ishte vetëm të vinte sa më shpejt. Jo- jo, tha infermierja, tash vjen ai. Ora tashmë kishte kaluar 18:00. Mjeku nuk dukej gjëkundi. Durimi sërish vihej në sprovë...
Dikur nga dritarja e emergjencës shoh një person të njohur që po i afrohej emergjencës serbes, me hapa të ngadaltë pa iu bërë vonë për asgjë. Nuk mund t’u besoja syve. Lutesha të mos ishte e vërtetë ajo që po shihja. Ishte vetë Musli Murseli. Mjeku që një orë më parë më përzuri nga ordinanca private. Dhe doli ajo që e pritja. Murseli ishte me të vërtetë pediatri që po e prisnim. Pediatri që gjatë orarit të punës në institucion publik e kalonte rrugën dhe shkonte dhe fitonte lekë në ordinancën private. Për më tepër as kur e thërrasin të vijë në vendin e punës, për t’i dhënë ndihmën dikujt që ka nevojë për të, atij nuk i ngutet. Me siguri që edhe ju z. drejtor, edhe lexuesi mund ta marrë me mend reagimin tim. Atëherë unë fillova të ndihesha zoti i emergjencës suaj, z. drejtor. Sepse e drejta ishte në anën time. Kisha kapur vartësin tuaj duke e përdhosur vendin e tij të punës, profesionin e tij human. “Zbulimi” i një shkeljeje të tillë të ligjit në spitalin tuaj, për mua ishte shokues. Por jo edhe për qytetarët e Ferizajt. Ata nuk çuditeshin aspak me rrëfimin tim. “Iha, e paske zbuluar Amerikën”, më tha njëri. “Po ne këtu të gjithë e dimë se mjekët e spitalit punojnë një orë në spital, një orë në ordinancat private përballë spitalit. Ndodh që kur shkon në ordinancë private, aty të thonë prit sa ta thërrasim mjekun në spital”, më tregonte një banore e Ferizajt. Një tjetër më tregoi se e kishte pritur me orë të tëra stomatologun për t’ia ndalur dhimbjet e dhëmbit djalit të tij. “Kot e pret se nuk vjen...Shko te ordinanca e tij private se aty e gjen”, e kishte këshilluar dikush bashkëbiseduesin tim. Kishte edhe rrëfime të tjera. Një që më tmerroi më së shumti ishte se mjekët e spitalit tuaj, z. drejtor, dalin nga sallat e operacionit me rrobat dhe të mbathurat e tyre sterile dhe vrapojnë tek ordinancat private, ose për të pirë ndonjë kafe në kafehanet e afërme dhe kthehen prapë në salla tek pacientët. Edhe gjatë kohës sa qëndrova në lokalet e emergjencës tuaj pashë shumë parregullsi. I pashë edhe kushtet jo të përshtatshme në të cilat punohej, fluksin e madh të pacientëve. Nuk mund të them se aty nuk ofrohej ndihmë mjekësore, por në emergjencën tuaj, z. drejtor, nuk kishte as rend e as rregull. Vërehej mungesa e një dore të fortë menaxhuese. Një dore që do t’ua „frenonte“ urinë për më shumë para mjekëve të spitalit tuaj, që do t’i detyronte të respektonin orarin dhe vendin e tyre të punës, e mbi të gjitha të respektonin pacientin, sepse për shpëtimin e jetës së tij kanë dhënë një herë një betim. Me siguri të gjitha këto po ndikojnë që Ministria e Shëndetësisë të mos ua njohë statusin e spitalit.
Ajo që po ndodh në spitalin tuaj e që është e mundur se ndodh edhe në spitale të tjera rajonale, tregon mjerimin ku ka rënë shëndetësia kosovare. Por, ngre edhe një herë domosdonë e qartësimit përfundimtar të çështjes së punësimit të personelit shëndetësor në institucionet publike. Mjekët të zgjedhin: duan të punojnë në sektorin publik apo në atë privat. është e pamundur të bësh punën si duhet në të dyja.
Prandaj, z. drejtor i Spitalit të Ferizajt, ose detyrojini mjekët tuaj ta respektojnë orarin dhe vendin e punës, ose lirojeni postin. Bëjeni këtë për hir të qytetarëve të Ferizajt. Ata e meritojnë një trajtim të dinjitetshëm. Nëse jo për gjë tjetër, për faktin që për dhjetë vjet ua kanë besuar jetën dhe paratë e tyre, pa e ngritur madje asnjëherë zërin e protestës ndaj gjithë këtij kaosi në institucionet e tyre shëndetësore të ngritura me shumë sakrifica.
valbona@koha.net