E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerika po errësohet

Dritat po shuhen në mbarë Amerikën – në kuptimin e plotë të fjalës. Colorado Springs rroku ballinat e gazetave me përpjekjen e saj dëshpëruese për të kursyer buxhetin duke shuar një të tretën e dritave të rrugëve, por gjëra të ngjashme ose të përafërta po ndodhin në mbarë vendin, duke filluar prej Philadelphias deri në Frenso.
Në të njëjtën kohë, një vend që mahniste botën me investimet e tij vizionare në transport, nga kanali Erie deri në Sistemin e rrugëve ndërshtetërore, tani ka hyrë në procesin e mbylljes së rrugëve të veta: në një numër shtetesh, qeveritë lokale kanë filluar të mbyllin rrugët meqë nuk po arrijnë më t’i mirëmbajnë dhe po i shndërrojnë në rrugë të shtruara me zhavorr.
Dhe një shtet që dikur i kushtonte vëmendje të madhe edukimit – ishte i pari që i kishte garantuar kryerje shkollimi çdo fëmije – tani ka filluar të marrë tatëpjetën. Mësuesit nuk po paguhen sa duhet; programet po anulohen; në Hawaii, është shkurtuar në mënyrë drastike viti shkollor. Dhe të gjitha shenjat tregojnë se në të ardhmen do të ketë shkurtime të reja.
Na është thënë se s’kemi tjetër zgjidhje, se funksionet bazike qeveritare – shërbimet themelore që janë garantuar për gjenerata me radhë – më nuk mund të ofrohen. Dhe është e vërtetë se qeveritë lokale dhe ato qendrore, të goditura nga recesioni, nuk kanë kah t’ia mbajnë. Por ata nuk do të ishin futur në qorrsokak nëse politikanët e këtyre qeverive do të kishin gatishmëri për të zbatuar një politikë të rritjes së taksave së paku në disa fusha.
Dhe qeveria federale, e cila do të mund të shiste disa stoqe afatgjate të mbrojtura nga inflacioni në një vlerë prej vetëm 1.04 për qind, hiç nuk është në qorrsokak. Duhet dhe është e aftë t’u ofrojë pak ndihmë qeverive lokale, për ta mbrojtur të ardhmen e infrastrukturës dhe fëmijëve tanë.
Por Washingtoni po ofron vetëm një ndihmesë, madje edhe këtë po e bën me gjysmë zemre. Ne duhet ta bëjmë prioritet reduktimin e deficitit, thonë republikanët dhe demokratët “centristë”. Dhe pastaj, virtualisht në frymëmarrjen tonë të ardhme, deklarojnë se duhet të parandalojmë rritjen e taksave, në një buxhet që gjatë dekadës së ardhshme do të arrijë çmimin prej 700 miliardë dollarësh.
Në efekt, një pjesë e madhe e klasës sonë politike po tregon prioritetet e veta: duke marrë për bazë atyre që kërkojnë një taksë prej 2 për qind njerëzve të pasur ose po të shkohej pas me zbatimin e politikës së taksave të zbatuara gjatë bumit ekonomik të kohës së Clintonit, ose të lejohet vendi të bie në dy gjunjë – si është puna e rrugëve, figurativisht në rastin e edukimit – ata po zgjedhin këtë të dytën.
Kjo është një zgjidhje shkatërrimtare edhe në planin afatshkurtër, edhe në atë afatgjatë.
Në planin afatshkurtër, kursimet lokale dhe shtetërore kanë ndikim të madh në ekonomi, duke shkaktuar një rritje të madhe të papunësisë.
është themelore të keni në mendje qeverinë lokale dhe atë qendrore kur dëgjoni njerëzit duke u çjerrë për shpenzimet nën administrimin e presidentit Obama. Po, qeveria federale po shpenzon më shumë, por jo aq shumë sa ju mendoni. Por qeveritë lokale dhe ajo federale po kursejnë më shumë. Dhe nëse i bëni bashkë të gjitha, do ta shihni se fusha e vetme ku ka një rritje të shpenzimeve janë programet e sigurisë, si sigurimi nga papunësia, që na ka kushtuar një dreq e gjysmë për shkak të tkurrjes së madhe ekonomike.
Nëse ju shikoni buxhetin qendror si tërësi, për të gjithë muhabetin e dështimit të pakos stimuluese, juve nuk do t’ju bjerë në sy  ndonjë stimulim. Dhe tani ne po shkojmë mbrapshtë.
Por a është një formë stimulimi mbajtja e taksave në nivel të ulët për fushat me bollëk? Kështu nuk do ta vërenit. Kur ruajmë vendin e punës së një mësuesi, kjo në mënyrë të dykuptimtë ndihmon punësimin; kur në vend të kësaj i japin para milionerit, ka bajagi shumë mundësi që shumica e atyre parave do të flinin.
Dhe çfarë të thuhet për të ardhmen e ekonomisë? Gjithçka që dimë për rritjen ekonomike thotë një popullatë e edukuar mirë dhe me infrastrukturë të cilësisë së lartë janë themelore. Vendet në shpërthim po bëjnë përpjekje të mëdha për të përmirësuar rrugët, portet dhe shkollat e tyre. Ne në Amerikë, po shkojmë prapa.
Si kemi arritur deri këtu? është pasojë logjike e tri dekadave të retorikës së antiqeverisjes, retorikës që ka bindur shumë votues se një dollar i mbledhur nga taksat është gjithnjë një dollar i humbur, se sektori publik nuk mund të bëjë asgjë si duhet.
Fushata kundërqeveritare gjithnjë është përfolur kur ishte fjala te humbja dhe ryshfeti – për dërgimin e parave për mbretëreshat që vozisin “Cadillac”, për burokratët e ushtrive të cilët pa pasur nevojë përdorin letër. Por këto ishin mite, natyrisht; asnjëherë nuk ka pasur më shumë humbje dhe ryshfet sesa ishte raportuar me të drejtë. Dhe tani kur fushata ka arritur të përmbushë qëllimet e veta, po shohim se ato që po na mungojnë janë: shërbimet për të cilat kanë nevojë të gjithë, me përjashtim të njerëzve të pasur, shërbimet të cilat mund t’i sigurojë vetëm qeveria e askush tjetër, si ndriçimin publik, rrugët e mirëmbajtura dhe shkollim cilësor si tërësi.
Pra rezultati përfundimtar i fushatës së gjatë kundër qeverisë është se ne kemi bërë një kthesë jashtëzakonisht të keqe. Amerika tani është errësuar, me rrugë të pashtruara që nuk çojnë askund.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “The New York Times”. “Koha Ditore” ka të drejtën ekskluzive të botimit në gjuhën shqipe të komenteve të së përditshmes njujorkeze.)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›