E Diel, 1 Nëntor 2026

Shulku: “Gjykimet? Klubet kanë të drejtë të ankohen”Besa e Vllaznia, kanë protestuar zyrtarisht ndaj “xhaketave të zeza”.

Rrjetet sociale:

(ALBANIA SPORT) - Gjyqtarët kanë qenë gjatë dhjetë javëve të parë të këtij sezoni, si ata që kanë gjykuar në Kategorinë Superiore, por dhe në ato inferiore, në shënjestrën e disa klubeve, këto të fundit kanë shprehur haptazi pakënaqësinë e tyre, madje Besa e Vllaznia, kanë protestuar zyrtarisht ndaj “xhaketave të zeza”.

Besa i kërkoi zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit dënimin e gjyqtarit ndërkombëtar, Sokol Jareci, për të mos gjykuar më asnjë ndeshje në Kategorinë Superiore, ndërkohë që Vllaznia ka bërë edhe një listë me ndeshjet me kontestimet ndaj “bilbilave”.

”Është një e drejtë normale e klubeve për ta bërë një gjë të tillë, - tha Ilir Shulku, shefi i Sektorit të Garave, pranë Federatës.

“Ka disa klube që kanë bërë kërkesa të tilla ndaj gjyqtarëve, nuk është e nevojshme të përmend emra. Sigurisht ato do të shqyrtohen nga instancat përkatëse, të cilat e gëzojnë me statut këtë të drejtë”, - shtoi 38-vjeçari, ish-lojtar i Partizanit dhe Kombëtares (41 ndeshje, 1 gol).

Në fakt, klubet e ndryshme të Superligës apo dhe Kategorisë së Parë e të Dytë, kanë hartuar “listat e zeza” me emrat e gjyqtarëve, që sipas tyre nuk duhen lejuar të gjykojnë ndeshjet e ekipeve të tyre.

“Kjo nuk është një sjellje normale, klubet nuk mund të detyrojnë e t’i imponohen Sektorit të Garave, se përndryshe do ta bënin ata dizenjimin e arbitrave, të drejtë që s'jua jep rregullorja e garave”, - theksoi Shulku, një ish-trajner i Besës, Partizanit dhe ish-ndihmëstrajner i Kombëtares U-21.

Rasti më i fundit, kishte të bënte me gjykimin ndërkombëtarit Sokol Jareci në ndeshjen Besa-Dinamo. Gjyqtari shqiptar me stemën e FIFA-s e pranoi se kishte gabuar në mosdhënien e penalltisë në minutat e fundit të supersfidës Besa-Dinamo (0-1, java 10).

Vllaznia ka hartuar një listë me mekatet e gjyqtarëve gjatë këtij edicioni futbollistik: Besa-Vllaznia (2-0, java 1, mohim i një penalltie), Vllaznia-Tirana (0-1, java 9, mohim i dy penalltive) dhe Skënderbeu –Vllaznia (1-1, java 10, gol në pozicion jashtë loje i lojtarit korçar Stavrion Lako).

Numri i klikimeve - 2152
  E Enjte, 12 Nentor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›