E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shullazi rikthehet në gjykatë sot vendimi i Apelit të Shkodrës

SHKODËR - Rikthehet për të disatën herë në Gjykatën e Apelit të Shkodrës procesi për Emiliano Shullazin dhe Edison Harizajn, të cilët u arrestuan gushtin e vitit të kaluar gjatë një operacioni të forcave RENEA në dalje të Lezhës, e pikërisht në kryqëzimin e Shëngjinit.

Procesi në Apelin e Shkodrës ka kohë që ka filluar, por ende nuk ka përfunduar. Në fillim të marsit, ky proces u shty nga trupi gjykues i përbërë nga Astrit Kalaja relator dhe gjyqtarët Luan Dervishi dhe Valbona Vata, për mungesën e avokatit mbrojtës të dy të pandehurve.

Që prej disa kohësh ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka ngritur me të madhe shqetësimin për kriminalitetin dhe rritjen e dënimeve penale për njerëzit që provohet se i kanë kryer ato. Ndër të tjera, në kohën e arrestimit të dy të pandehurve, policia hodhi dyshime të forta se vetë dy personat, ishin nisur të kryenin një tjetër vepër penale, por që nuk specifikohet.

Operacioni u krye në masa të forta sigurie dhe pas marrjes së informacioneve paraprake nga zyrtarët e policisë, të cilët nëpërmjet një plani të detajuar, arritën të kapin personat pa arritur të kryejnë veprën për të cilën ishin nisur.

Sipas avokatit mbrojtës, dy të pandehurit kërkojnë që t’u llogariten ditët e paraburgimit dhe lirimi i tyre, por deri tani, proceset në gjykatën e Apelit janë shtyrë pikërisht nga mungesa e avokatit.

Gjithsesi, Emiliano Shullazi është një emër shumë i njohur për policinë shqiptare. Ai është përfolur për pjesmarrjen e tij në disa krime dhe është gjykuar sipas rasteve. Në zgjedhjet e fundit lokale të tetë majit, ka qenë i përfshirë edhe në prishjen e aktiviteteve politike, ku rasti më evident dhe i deklaruar publikisht ka qenë ai i Partisë Socialiste, nëpërmjet deklarimeve publike në atë kohë të deputetes së PS, Vasilika Hysi. Edhe në atë kohë ai u ndalua nga policia por më pas u la i lirë.

Sot pritet që pas shtyrjes së disa seancave gjyqësore në ngarkim të tij, Gjykata të shprehet për dënimin e dy të arrestuarve. Ministria e Drejtësisë prej më shumë se një muaji ka nisur një fushatë të ashpërsimit të dënimeve penale në ngarkim të personave të cilët sipas saj janë përsëritës të këtyre veprave. Ndërkohë që “gjakrat politikë” për këtë çështje janë “nxehur” për shkak të rritjes së kriminalitetit në vend.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›