SHBA, një grua në krye të Shërbimit Sekret
Për herë të parë do të jetë një grua në krye të Agjencisë së Shërbimeve Sekrete Amerikane. Julia Pierson, shefja e stafit të Agjencisë Sekrete, do të zëvendësojë Mark Sullivan, i cili shpalli dorëheqjen e tij një muaj më parë.
Shërbimi Sekret është një prej agjencive të këtij lloji në SHBA, e ngarkuar me mbrojtjen e presidentit dhe personaliteteve të tjera të vendit.
Gjithashtu, kjo agjenci merret me hetimin e krimeve financiare.
Sipas ekspertëve, detyra e parë e Pierson do të jetë përmirësimi i reputacionit të agjencisë, e cila u përfshi në një skandal prostitucioni gjatë vitit të shkuar.
Me origjinë nga Florida, drejtorja e re e Shërbimit Sekret ka një karrierë të gjatë në këtë agjenci, ku ngriti gradualisht shkallët pasi nisi si agjente terreni në vitin 1983.
Presidenti Obama tha se zonja Pierson është jashtëzakonisht e kualifikuar për të drejtuar Shërbimin Sekret dhe ka pasur një karrierë shembullore 30 vjeçare me këtë agjenci.