E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shultz: Eurosocialistët në Tiranë, do të diskutojnë për krizën politike

PE angazhohet për zgjidhjen e krizës
 

 
Nis zbatimi i planit të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës politike mes PD-së dhe PS-së. Kryetarët e grupimeve në PE takojnë Topallin dhe apelojnë për zgjidhje 
 
Krerët e grupeve parlamentare të majta e të djathta në Parlamentin Europian shprehën dje angazhimin e tyre për të kontribuar në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Eurodeputetët e djathtë, që u takuan me kryeparlamentaren Jozefina Topalli, e cila ndodhej në Bruksel, i bënë apel opozitës shqiptare për rikthimin në parlament. Ndërkohë, duket se eurosocialistët do të veprojnë më konkretisht, ku shumë shpejt do të vijnë në Tiranë për të marrë pjesë në një tryezë të socialistëve ballkanikë, ku do të diskutohet edhe kriza politike e vendit tonë dhe zgjidhja e saj. Kreu i grupimit socialist në Parlamentin Europian, Martin Shultz, tha dje për mediat, se gjatë takimit me kryeparlamentaren shqiptare Jozefina Topalli kishte ndarë refleksione të përbashkëta, të cilat, sipas marrëveshjes së bërë me numrin dy të PD-së, refuzoi t’i bënte publike. “Ajo çka unë bisedova me kryetaren e Kuvendit, është se çfarë mund të bëjmë ne si socialistë europianë. Diskutuam për disa refleksione të përbashkëta, por siç u mora vesh edhe me kryetaren, nuk dua t’i bëj publike. Nuk më takon mua që të influencoj deputetë apo liderë partie për çështje të brendshme. Unë e informova kryetaren e Parlamentit, se socialistët po përgatisin një konferencë në Tiranë për situatën në Ballkan, ku ne do të flasim për situatën në Shqipëri”, tha Shultz. Po ashtu, eurodeputeti socialist theksoi se është i shqetësuar për situatën në Shqipëri, për të cilën tha se qeveria dhe opozita janë të dyja në një situatë të vështirë. Sipas Shultz, vendi ka nevojë për zgjidhje të forta dhe duhet të ketë një perspektivë europiane, të përbashkët që kërkon angazhimin e të gjitha palëve. Ndërkohë, angazhimi i grupimeve politike në Parlamentin Europian për zgjidhjen e krizës politike shqiptare është pjesë e një plani të Këshillit të Europës, drejtuesit e lartë të të cilit do të vizitojnë gjithashtu Shqipërinë në fund të këtij muaji, ose në fillim të muajit shkurt. Referuar planit që qarkullon në qarqet diplomatike në Tiranë, opsioni i parë është ai i faktorizimit të presidentit Bamir Topi për organizimin e një tryeze mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, për të diskutuar për zgjidhjen e krizës. Gjatë ditës së djeshme, kreu i shtetit, Bamir Topi, u pa në Shkodër i shoqëruar nga diplomatët kryesorë, si Xhon Uidhërs, që sapo ishte kthyer nga një vizitë në SHBA, nga Helmut Lohan dhe Manuel Montobio, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Po ashtu, pjesë e këtij plani të ndërkombëtarëve është edhe organizimi i një forumi nga diplomatët në një ambient “neutral”, në të cilin duhet të marrin pjesë përfaqësuesit e të dy kampeve politike. Paralelisht me dy opsionet e mësipërme, një nga pikat e planit të ndërkombëtarëve është edhe ai i ndikimit përmes “familjeve politike”, pra Partive Popullore Europiane dhe Internacionales Socialiste. Këtyre grupimeve politike, do t’u kërkohet që të ndikojnë tek Partia Demokratike dhe Partia Socialiste për zgjidhjen e krizës dhe uljen në një tryezë të përbashkët. Gjatë ditës së djeshme, kreu i grupimit eurosocialist, Martin Shultz, tha qartësisht, se nuk do të ndikojë te Partia Socialiste shqiptare për ndryshimin e qëndrimit. Deri tani, Partia Socialiste është shprehur e gatshme për të negociuar me Partinë Demokratike për transparencën zgjedhore përmes hapjes së kutive të votimit, ndryshe nga Partia Demokratike, e cila ka deklaruar se nuk pranon të hapë kutitë, sepse kështu shkelet vendimi i gjykatës.
K. KUçAJ
 
 
Qeveria: Regjistrimi i popullsisë, qytetarët do të deklarojnë etninë dhe fenë
 
Në vitin 2011, qeveria do të nisë një proces për regjistrimin e të gjithë popullsisë në Shqipëri, ku përveç të dhënave bazë, qytetarët do të duhet të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike dhe fetare. Një komision shtetëror, në përbërje të të cilit do të jenë 12 ministra të kryesuar nga ministri i Shtetit, Genc Pollo, do të kontrollojë procesin e regjistrimit të popullsisë, por edhe të banesave që do të kryhen njëkohësisht. Kjo nismë pritet të ndezë diskutime dhe debate në vend në lidhje më numrin real të përkatësive etnike në vend. Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare është kundërshtuar më parë nga disa politikanë dhe studiues, për vetë faktin se kjo mund të sjellë braktisje të kombësisë për qëllime të ndryshme. Në kryesimin e ministrit Genc Pollo, ky komision zhvilloi dje mbledhjen e parë, ku u vendos theksi se një nismë e tillë është edhe pjesë e pyetësorit të Bashkimit Europian. “Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave që qeveria do të ndërmarrë në vitin 2011, është një aktivitet që u jep një panoramë të plotë zhvillimeve sociale dhe ekonomike në vend dhe që do të shërbejë për një bazë të mirë për të ndërtuar politika të drejta, në mënyrë që paratë publike të shpenzohen me efektivitet. Sot (dje) do të miratohet në parim nga komisioni pyetësori për regjistrimin e popullsisë dhe pas një konsultimi 6-mujor do të miratohet përfundimisht. Por risia këtë vit në këtë pyetësor, është që ai përmban për herë të parë pas shumë dekadash, përkatësinë etnike dhe fetare”, tha Pollo në mbledhjen e djeshme. Ai bëri me dije se ky proces do të realizohet nga Instituti i Statistikave (INSTAT) dhe me një mbështetje të madhe ekspertësh nga Bashkimi Europian dhe agjenci të tjera ndërkombëtare. “është një operacion që vërtet kushton shumë financiarisht, por na jep një bazë të dhënash deri tani të padisponueshme dhe të domosdoshme për të ecur përpara”, tha Pollo. Regjistrimi i fundit i popullsisë dhe banesave është bërë në vitin 2001 dhe lëvizja e vazhdueshme migratore e popullsisë nga zonat rurale drejt atyre urbane, por edhe në drejtim të vendeve të tjera ka sjellë lëvizje demografike të mëdha dhe ne ndryshim të të dhënave statistikore. Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave do të kontribuojë në sigurimin e të dhënave bazë të qëndrueshme në kohë si demografike, ashtu edhe social-ekonomike, në nivel kombëtar, lokal dhe rajonal për thjeshtimin e formulimit, monitorizimit dhe vlerësimit të planeve dhe programeve të zhvillimit social-ekonomik, si dhe për qëllime të tjera administrative dhe studime kërkimore-shkencore. Ai gjithashtu do të shërbejë në forcimin e kapaciteteve për zhvillimin e një infrastrukture në funksion të sistemit statistikor, në përputhje me standardet dhe rekomandimet europiane dhe ato ndërkombëtare. Ky projekt kushton 15 milionë euro, nga të cilat qeveria shqiptare do të mbulojë 5 milionë, ndërsa pjesën tjetër nga agjencitë të ndryshme të vendeve të Bashkimit Europian. Projekti i regjistrimit ka për qëllim sigurimin e informacionit bazë, në formën e të dhënave elektronike individuale. 
 
 
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›