BE: Heqja e vizave, frikë nga dyndja e shqiptarëve

Eurodeputetja shpreson se liberalizimi i vizave për Shqipërinë do të bëhet në mesin e këtij viti. “Ekziston frika edhe për fluksin e Shqipërisë dhe Bosnjës”
Kreshnik KUçAJ
Bashkimi Europian i trembet një dyndjeje të shqiptarëve në rast se liberalizohen vizat. Kjo u bë e ditur dje nga eurodeputetja Tanja Fajon, e cila dha një intervistë për BBC-në, të përqendruar kryesisht mbi shtetin e ri të Kosovës dhe liberalizimin e vizave për këtë vend. “E para mund të them se nuk është e përjashtuar, sepse ka frikë edhe për Shqipërinë dhe Bosnjën gjithashtu”,tha Fajon, e pyetur nëse ka qenë Kosova e përjashtuar nga procesi i liberalizimit të vizave, për shkak të moszhvillimit të saj dhe frikës në BE se do të këtë një fluks të madh të qytetarëve të saj që do të largoheshin menjëherë. Megjithatë, eurodeputetja, e cila paraqiti vitin e kaluar një rezolutë për përshpejtimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, tha se shpreson se të paktën gjatë këtij viti, Shqipëria dhe Bosnja të hyjnë në procesin e lëvizjes së lirë në vendet e Bashkimit Europian. Duke komentuar vendimin që la jashtë lehtësimit të regjimit të vizave Shqipërinë dhe Bosnjën, Fajon tha se është ndjerë keq, por nga ana tjetër, sipas saj, të paktën përfituan tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia. “Kam shprehur keqardhjen time, që në korrik të vitit të kaluar, kur Shqipëria dhe Bosnja nuk u përfshinë në të ashtuquajturën listë të bardhë të vizave. Por më erdhi mirë kur pashë se të paktën tre vendet e tjera fqinjë morën këtë regjim të vizave. Unë shpresoj se Shqipëria dhe Bosnja do të hyjnë në këtë proces të lehtësimit të vizave këtë vit”, vijoi Fajon.
Progresi
Qeveria Shqiptare është shprehur entuziaste për sa i përket liberalizimit të vizave në muajin korrik të këtij viti. Referuar deklaratës së krerëve më të lartë të Qeverisë Shqiptare, vendi ynë po i përmbush tashmë reformat e kërkuara për të përfituar liberalizimin e vizave. Vetëm dy ditë më parë, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha në një konferencë për mediat, se progresi i bërë në muajt e fundit për 4 blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin është i jashtëzakonshëm. Kryediplomati Meta pranoi se disa nga çështjet janë akoma në proces, por që do të përmbyllen brenda të gjithë afateve. Një nga çështjet për të cilat Meta u ndal, është edhe ai i miratimit të ligjit kundër diskriminimit, në të cilin fillimisht kryeministri Sali Berisha tha se përfshin edhe lejimin e martesave homoseksuale. Meta bëri me dije se ky ligj, kriter për liberalizimin e vizave, do të miratohet në javën e ardhshme, kur do të fillojë edhe sesioni i ri parlamentar. “Absolutisht që progresi është i jashtëzakonshëm gjatë muajve të fundit në të gjithë blloqet, pra në këtë katër blloqet e këtij udhërrëfyesi. Ka disa elemente, që janë në proces, sikurse është ligji kundër diskriminimit, është në procedura zyrtare të Parlamentit dhe do të miratohet në javët e ardhshme, apo dhe disa detyrime të tjera, por ne jemi të bindur që brenda këtij viti Shqipëria i plotëson të gjitha këto detyrime dhe shqiptarët do ta meritojnë të udhëtojnë pa viza në të gjitha vendet e hapësirës “Shengen”, tha Meta. Në të njëjtën linjë deklaratash është shfaqur edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli gjatë vizitës dyditore në Bruksel, ku u takua me një sërë diplomatësh perëndimorë. Në këto takime, Topalli ka shprehur besimin, se liberalizimi i vizave do të vijë në mesin e këtij viti, ndërsa ka marrë edhe mbështetjen e Belgjikës, vendit që merr presidencën e radhës së Bashkimit Europian.
Qeveria: Regjistrimi i popullsisë, qytetarët do të deklarojnë etninë dhe fenë
Në vitin 2011, qeveria do të nisë një proces për regjistrimit të të gjithë popullsisë në Shqipëri, ku përveç të dhënave bazë, qytetarët do të duhet të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike dhe fetare. Një komision shtetëror, në përbërje të të cilit do të jenë 12 ministra të kryesuar nga ministri i Shtetit, Genc Pollo, do të kontrollojë procesin e regjistrimit të popullsisë, por edhe të banesave që do të kryhen njëkohësisht. Kjo nismë pritet të ndezë diskutime dhe debate në vend në lidhje më numrin real të përkatësive etnike në vend. Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare është kundërshtuar më parë nga disa politikanë dhe studiues për vetë faktin, se kjo mund të sjellë braktisje të kombësisë për qëllime të ndryshme. Në kryesimin e ministrit Genc Pollo, ky komision zhvilloi dje mbledhjen e parë, ku u vendos theksi se një nismë e tillë është edhe pjesë e pyetësorit të Bashkimit Europian. “Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave që qeveria do të ndërmarrë në vitin 2011, është një aktivitet që u jep një panoramë të plotë zhvillimeve sociale dhe ekonomike në vend dhe që do të shërbejë për një bazë të mirë për të ndërtuar politika të drejta, në mënyrë që paratë publike të shpenzohen me efektivitet. Sot (dje) do të miratohet në parim nga komisioni pyetësori për regjistrimin e popullsisë dhe pas një konsultimi 6-mujor do të miratohet përfundimisht. Por risia këtë vit në këtë pyetësor është që përmban për herë të parë pas shumë dekadash, përkatësinë etnike dhe fetare”, tha Pollo në mbledhjen e djeshme. Ai bëri me dijë se ky proces do të realizohet nga Instituti i Statistikave (INSTAT) dhe me një mbështetje të madhe ekspertësh nga Bashkimi Europian dhe agjenci të tjera ndërkombëtare. “është një operacion, që vërtet kushton shumë financiarisht, por na jep një bazë të dhënash deri tani të padisponueshme dhe të domosdoshme për të ecur përpara”, tha Pollo. Regjistrimi i fundit i popullsisë dhe banesave është bërë në vitin 2001 dhe lëvizja e vazhdueshme migratore e popullsisë nga zonat rurale drejt atyre urbane, por edhe në drejtim të vendeve të tjera ka sjellë lëvizje demografike të mëdha dhe në ndryshim të të dhënave statistikore. Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave do të kontribuojë në sigurimin e të dhënave bazë të qëndrueshme në kohë, si demografike, ashtu edhe social-ekonomike, në nivel kombëtar, lokal dhe rajonal për thjeshtimin e formulimit, monitorizimit dhe vlerësimit të planeve dhe programeve të zhvillimit social-ekonomik, si dhe për qëllime të tjera administrative dhe studime kërkimore-shkencore. Ai gjithashtu do të shërbejë në forcimin e kapaciteteve për zhvillimin e një infrastrukture në funksion të sistemit statistikor, në përputhje me standardet dhe rekomandimet europiane dhe ato ndërkombëtare. Ky projekt kushton 15 milionë euro, nga të cilat qeveria shqiptare do të mbulojë 5 milionë, ndërsa pjesën tjetër nga agjencitë të ndryshme të vendeve të Bashkimit Europian. Projekti i regjistrimit ka për qëllim sigurimin e informacionit bazë, në formën e të dhënave elektronike individuale.