E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkimi Europian: Nuk i respektoi procedurat


Bogdanoviç dëbohet nga Kosova
 
 

 
Ministri serb për Kosovën është përcjellë nga policia në kufirin me Serbinë, pas mosrespektimit të procedurave për vizitat zyrtare
 
 
Zyra e përfaqësuesit special të Bashkimit Europian në Kosovë njoftoi dje se i ka ndaluar hyrjen në Kosovë ministrit për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, pasi zyrtari serb ka respektuar procedurat për vizitat zyrtare. “Ekzistojnë norma dhe procedura ndërmjet Beogradit, Bashkimit Europian dhe Prishtinës për vizitat zyrtare, dhe në rastin konkret ato nuk janë respektuar”, ka thënë zëdhënësja Julia Rojter. Ajo shtoi se në rrethana të tilla ka “shqetësime për rendin publik”, ndaj dhe Bogdanoviçit nuk iu lejua të hynte në territorin kosovar. “Kuptohet, ekziston liria e lëvizjes në tërë Kosovën për qytetarët dhe vizitorët privatë, si dhe për vizitorët zyrtarë, të cilët e respektojnë procedurën”, ka theksuar Rojter. Dje, policia e Kosovës e ndaloi Bogdanoviçin në një fshat të komunës së Shtërpcës dhe e përcolli deri në kufirin me Serbinë. Sipas zëdhënësit për shtyp të policisë, autoritetet vendosën që Bogdanoviç të kthehej prapa në kufi me Serbinë, “pasi ai nuk kishte kërkuar lejen e institucioneve të Kosovës”, i tha radios “Europa e Lirë”, Baki Kelani. Ndalimi i tij u bë në komunën e Shtërpcës, ndërsa Bogdanoviç po zhvillonte takime me banorët lokalë. Ai fillimisht kreu një takim me udhëheqësin e strukturave paralele të Serbisë në këtë komunë, Zvonko Mihajloviç, i cili njihet nga Beogradi si kryetar i kuvendit komunal të Shtërpcës. Vizita e djeshme e Bogdanoviç pason konstituimin e dy ditëve më parë të kuvendit komunal në këtë komunë, përbërja e të cilit ka dalë nga zgjedhjet vendore të nëntorit në Kosovë. Bogdanoviç ka kërkuar nga autoritetet e rendit vendimin e shkruar nga Qeveria e Kosovës për këtë veprim, për çka thuhet se policia i është përgjigjur, duke thënë se ekziston vetëm urdhër verbal se ai duhet ta braktisë Kosovën. Ministri në Qeverinë e Serbisë ka thënë se bëhet fjalë për një hap të pazakontë të “autoriteteve të përkohshme në Kosovë”, meqë ai jeton në Kosovë dhe ka të drejtë, pavarësisht nga funksioni ministror që mban, të qarkullojë brenda territorit. Ai insistoi që Policia e Kosovës ta kthejë në veri të vendit, por autoritetet e rendit e dërguan në vendkalimin kufitar Merdare, në verilindje të Kosovës.
 
 
Mauritania e njeh Republikën e Kosovës
Republika Islamike e Mauritanisë e ka njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë shteti i 65-të që e njeh realitetin e ri të krijuar pas 17 shkurtit 2008. “Pas komunikimesh intensive midis Ministrive të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Republikës Islamike të Mauritanisë dhe takimeve në nivel ministrash të Jashtëm të dy vendeve, Republika Islamike e Mauritanisë, më 12 janar 2010, ka marrë vendim që të njohë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një komunikate për shtyp. Njoftimi për njohje është bërë sot përmes Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, me një notë verbale nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit e Republikës Islamike të Mauritanisë, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, saktëson MPJ. “Duke iu referuar letrës së Shkëlqesisë së tij, ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, dërguar ministrit të Jashtëm dhe të bashkëpunimit të Republikës Islamike të Mauritanisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit e Mauritanisë ka nderin të njoftojë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, se Republika Islamike e Mauritanisë ka njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran dhe ka marrë vendim që të themelojë marrëdhëniet diplomatike në nivel ambasadorësh”, thuhet në notën verbale të njohjes. Mauritania ka shprehur bindjen se ky vendim hap mundësi të mëdha të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bashkëpunimit me interes të ndërsjellët në të gjithë rrafshet, ato politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Mauritania gjendet në Afrikën Veriperëndimore, kufizuar me Oqeanin Atlantik, Senegalin, Malin, Algjerinë dhe Marokun.
 
 
 
Fule prezanton politikën e zgjerimit
 
Përkrahim reformat në Kosovë, Maqedonia të zgjidhë çështjen e emrit
 
Kandidati për postin e komisionerit të ri të Zgjerimit në Bashkimin Europian, çeku Stefan Fule, deklaroi se BE do të vazhdojë me nxitjen e reformave në shtetet e Ballkanit Perëndimor, të domosdoshme për hyrjen e këtyre shteteve në bashkësinë e popujve europianë. Ai në mënyrë indirekte tha se të gjithë shtetet e rajonit do të duhej që të paktën të ishin kandidatë, megjithëse pohoi se afrimi i rajonit drejt Brukselit varet shumë nga ajo nëse opinioni publik në BE do ta mbështes këtë proces. “Me Serbinë, me gjithë pranimin e progresit që ka bërë në integrime, do të vazhdojmë me një dialog konstruktiv. E do të vazhdojmë t’i përkrahim edhe reformat në Kosovë”, sqaroi tutje Fule. Duke prekur çështjen e integrimit të Kosovës dhe atë të statusit të saj, Fule përkujtoi se është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ajo që po e shqyrton këtë çështje, ndonëse as brenda BE nuk ekziston një unitet dhe konsensus i plotë. Megjithatë, ai nënvizoi se brenda Unionit ekziston një unitet i plotë për angazhim që as Kosova të mos mbetet jashtë procesit të zgjerimit. Prandaj, Komisioni Europian në fund të vitit të kaluar propozoi iniciativa të shumta, që t’i ndihmohet Kosovës në afrimin e saj me BE, sqaroi Fule. Ndërkohë, diplomati çek ka theksuar para Parlamentit Europian (PE), se fillimi i negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë varet nga zgjidhja e kontekstit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. “Shtetet anëtare të BE-së së shpejti do të kenë mundësinë të fillojnë negociatat me IRJM-në, në pajtim me rekomandimin e KE-së. Por prapë duhet të bëhen angazhime të mëdha për ta zgjidhur kontestin me Greqinë”, deklaroi Stefan Fulle, në përgjigjen e tij me shkrim në pyetjet e europarlamentarëve. Fulle ka sqaruar se për këtë kontest janë duke u udhëhequr “bisedime të rënda nën patronazhin e OKB-së dhe se BE i mbështet OKB-në dhe ndërmjetësuesin, Metju Nimiç dhe shpreson që të dyja palët në negociata do ta shfrytëzojnë mundësinë që të gjejnë një zgjidhje për emrin. Ndërkohë, ndërsa po u përgjigjej pyetjeve të deputetëve europianë, Fule theksoi se heqja e vizave për qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë paraqet “një hap të rëndësishëm në raportet e BE me shtetet e Ballkanit Perëndimor”. ‘Meqë vij nga çekia, e di sesa është e rëndësishme që vetëm me një pasaportë dhe pa viza të udhëtoni në zonën e “Shengenit”, tha Fule. “Zgjerimi i BE është një sukses dhe ai e bën BE më të fuqishëm. Gjatë pesë viteve të ardhshme dëshiroj të kemi edhe anëtare të reja në familjen tonë”, tha Fule. Sipas tij, procesi i zgjerimit u ka sjellë shumë dobi qytetarëve të shteteve të BE, sepse ka ardhur deri te rritja e investimeve dhe tregtisë, gjë që është pasqyruar në rritjen e punësimit dhe të standardit jetësor. Prandaj, sipas tij, me pranimin e secilit anëtar të ri Europa bëhet jo vetëm më e madhe, por edhe më e fuqishme, megjithëse nënvizoi se kushtet për anëtarësim në Union janë të qarta dhe ato duhen plotësuar, sepse s’ka rrugë tjetër për anëtarësim. Ndërkaq, duke folur për Turqinë, Fule theksoi se e përkrah vazhdimin e negociatave për hyrjen e saj në BE.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›