E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumaker nis përgatitjet për t’u rikthyer në Formula1

BERLIN- Në bordin e një Mercedesi, Mikael Shumaker ka nisur me intensitet përgatitjet për rikthimin e tij në Formula 1, duke zhvilluar teste të vazhdueshme në pistën e Herezit në Spanjë. Gjermani ka 3 vjet e gjysmë që është shkëputur nga garat dhe do t’i duhet jo pak kohë për të kapur ritmin e kundërshtarëve, pavarësisht klasit të tij të lartë. Shumaker është shprehur tepër i kënaqur me mbështetjen e dhënë nga skuderia Mercedes, një faktor që sipas tij do të jetë vendimtar në betejën për titull. “Duhet ta kuptoni se të gjithë pilotët që hyjnë në Formula 1 nuk kanë ndonjë diferencë të madhe me njëri-tjetrin, - deklaroi Shumaker pas sesionit të provave. – Diferenca e vetme qëndron në faktin se çfarë mund të arrijnë me makinën e tyre piloti me inxhinierët së bashku. Ky është faktori kryesor, inxhieri dhe mbështetja maksimale nga skuderia është gjëja më e rëndësishme”, tha 7 herë kampioni i botës. Shumaker është piloti më i suksesshëm në historinë e Formula 1 me 7 tituj të fituar. Rikthimi i tij për shumë njerëz mendohet se do të jetë i vështirë, por gjermani deklaron se ai ka nisur që në dhjetor të stërvitet. “Kam bërë shumë përgatitje paraprake lidhur me sistemin kardio-vaskular, duke bërë vrapime, ngarje biçiklete apo not”, tha piloti i Mercedes Grand Pri.(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›