E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumë opsione për miqësore

Federata e Futbollit e Kosovës është në kërkim të një kundërshtari të përfaqësueses së Kosovës për ndeshjen miqësore në fund të muajit mars. Drejtuesit e futbollit kosovar kanë disa opsione, por Express mëson se kundërshtari i mundshëm mund të jetë klubi turk Bursaspor ose ai gjerman Koln. Nga Moral Pozhegu më 27 shkurt 2011 në ora 13:55

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaku, ka kërkuar zhvillimin e një ndeshjeje miqësore në datat e lira të UEFA-s, 26 ose 29 mars.

Për këtë, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po bën përpjekje që ta gjejë një ekip kundërshtar, me të cilin do të përballeshin kosovarët në njërën prej këtyre datave.

Burime të Gazetës Express, brenda shtëpisë së futbollit kosovar, njoftojnë se kundërshtari i mundshëm i Kosovës muajin e ardhshëm mund të jetë ndonjë klub nga Gjermania ose nga Turqia.

“Federata ka pasur plot propozime nga Gjermania, por i ka refuzuar ato sepse klubet e interesuara nuk ishin prestigjioze, ishin nga ligat më të ulëta. Por, njëri prej opsioneve luan në Bundesligë. Bëhet fjalë për ekipin Koln. Ndërsa ka opsione edhe nga Turqia. Unë mendoj se kundërshtari i Kosovës mund të jetë edhe Bursaspor”, njofton ky burim.

Express mëson se përfaqësuesja e Kosovës ka edhe opsione të tjera, por që më detajisht do të dihet në ditët në vazhdim. Së fundmi flitej se kundërshtar i mundshëm i kosovarëve do të jetë Kombëtarja shqiptare. Por, këtë e ka hedhur poshtë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, i cili nuk e di as zanafillën e kësaj ideje.

Ai ka konfirmuar se ekipi i Albert Bunjakut do të luajë me një skuadër të një shteti muajin e ardhshëm, duket bërë të qartë kështu se kundërshtari i kosovarëve nuk do të jetë përfaqësuese, pasi që këtë nuk e lejon Federata Evropiane e Futbollit (UEFA).

Gjithashtu, Salihu bëri të ditur se në një të ardhme jo fort të largët, FFK do ta bëjë një kërkesë në shtëpinë e futbollit evropian që t’ia lejojë përfaqësueses së Kosovës zhvillimin e ndeshjeve miqësore me kombëtare.

Sipas tij, Kosova do t’i shfrytëzojë të gjitha burimet dhe të gjitha forcat që ka për ta bindur UEFA-n se i plotëson të gjitha kushtet e zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare.

Në të kaluarën, përfaqësuesja e Kosovës ka luajtur kryesisht me skuadra të shteteve, pasi që kombëtaret nuk pranojnë të luajnë, ngase kanë frikë ta bëjnë një gjë të tillë nga UEFA e FIFA.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›