Tirana tërhiqet nga regjistrimi i popullsisë
Qeveria e Shqipërisë është tërhequr nga regjistrimit i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, duke bërë një hap prapa në këtë drejtim. Të paktën, shtyrja është bërë për disa muaj dhe ministri i Inovacionit, Genc Pollo, ka disa arsye për këtë shtyrje, siç janë zgjedhjet lokale.
Sipas Pollos, angazhimi i drejtuesve lokalë në fushatën e zgjedhjeve, mund të krijonte probleme në regjistrimin e popullsisë.
Pyetjes së bërë nga gazeta “Panorama”, se a do të shtyhet regjistrimi i popullsisë, ministri Pollo i është përgjigju: “Po, besoj se do të shtyhet”.
I pyetur nëse ka vend për alarm që shqiptarët mund të adoptojnë një etni tjetër, Pollo u përgjigj se “ndoshta kjo nuk është një droje e shpikur rishtas, por një shqetësim i hershëm në marrëdhëniet jo të lehta me fqinjët që nga fillimet e shtetit modern shqiptari. “Megjithatë, në regjistrimin e vitit 1923 dhe në atë të mbajtur në vitin 1930, sipas dekret-ligjit mbretëror të iniciuar nga Musa Juka, atëbotë ministër i Brendshëm, ne kemi mësuar se sa është përqindja e minoritarëve grekë në Shqipëri. një shifër që rezulton pak e shumë e njëjtë me të gjitha numërimet e mëvonshme”, shprehet Pollo.
Projekti i regjistrimit të popullsisë, me vlerë 15 milion euro, është kundërshtuar nga përfaqësuesit e komuniteteve fetare, historianët dhe organizata të ndryshme.