E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te Hysi, ekspres rokadë

Skuadra e Hysit brenda pakë orëve ka ndërruar trajnerin. Genc Hoxha është emëruar në vend të Arbnor Morinës, i cili është larguar nga ekipi pas disa mosmarrëveshjeve me drejtuesit e klubit bardh e zi. Nga Valdet Hasani më 27 shkurt 2011 në ora 13:49

Në skuadrën e Hysit është bërë një rokadë e papritur. Të shtunën pasdite drejtuesit e klubit bardh e zi kanë bërë ndryshime në shtabin teknik, duke ndërruar trajnerin.

Genc Hoxha është emëruar trajner i ri i skuadrës së Hysit, pasi Arbnor Morina dhe klubi llapjan janë ndarë pas disa mosmarrëveshjeve me pronarin e skuadrës bardh e zi, Hysen Sadiku.

“Kam arritur marrëveshje me drejtuesit e Hysit që ta drejtoj skuadrën deri në fund të sezonit. Është opsioni i vazhdimit nëse dy palët jemi të kënaqur me rezultatet”, ka thënë Hoxha për Express.

Morina në krye të klubit nga Merdarja ishte emëruar në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar, pasi zëvendësoi Bylbyl Sokolin, i cili po ashtu ishte larguar pas disa mosmarrëveshje që kishte pasur me drejtuesit e Hysit.

“Unë nuk jam më trajner i Hysit. Kam pasur një takim me Hysen Sadikun dhe jemi marrë vesh që deri më 5 mars të m’i kryejë obligimet për të cilat jemi marrë vesh dhe më nuk do të shkoj atje”, ka thënë Morina për Express.

Ditëve të fundit te klubi bardh e zi nuk ka shkuar gjithçka mirë, pasi disa futbollistë kishin qëruar hesapet në mesë veti gjatë stërvitjeve. Mirëpo, Morina mohon të ketë pasur ndonjë mosmarrëveshje me lojtarët e tij.

“Nuk ka pasur asnjë mosmarrëveshje mes meje dhe lojtarëve. Në përgatitje ka qenë edhe menaxheri i klubit dhe gjithçka ka shkuar mirë’, ka theksuar Morina, i cili në të kaluarën ishte drejtor sportiv i këtij klubi.

Pjesën e parë të kampionatit skuadra e Hysit e ka përfunduar në vendin e dytë, me 33 pikë të tubuara, gjashtë më pak se lideri i Superligës, Prishtina.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›