E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumë zhurmë në tempull

Fjalët rrjedhin lumë në një ditë monotone të Teatrit Kombëtar. Festohet 65-vjetori i krijimit. Mes turmës, një zë i mbytur: Gabim të flemë mbi dafinat e sukesesve

Teatri. Tempulli ku kanë shkëlqyer korifejtë, ku është derdhur dashuri, pasion nga aktorë dhe regjisorë të mëdhenj. Një godinë e shenjtë e mbrujtur me gjithë ç'ka shpirti i njeriut. Vendi ku njerëzit ëndërronin të shkonin, dergjeshin në radhë deri në orët e para të mëngjesit për një biletë. Teatri si Tempull i Kulturës Teatrore Shqiptare.
Fjalë, fjalë, fjalë. Të mbledhura tok e humbin kuptimin, ngjyrën, ndjesinë, nuk mbërrijnë dot tek ai që i dëgjon, veniten dhe lodhen rrugës nga pesha e madhështisë boshe. Tempulli nuk është më i shenjtë, i prishet qetësia dhe ngjet me ato sheshet publike, ku njerëzit çirren sepse të tjerët nuk i dëgjojnë më. Janë lodhur. Fjalë që në fund hidhen në mbeturina.
Regjisorë, dramaturgë, aktorë, regjisorë, gazetarë, ishin dje në Teatrin Kombëtar, spektatorë të një radhe të gjatë kumtesash monotone me rastin e 65-vjetorit të krijimit të këtij institucioni.
Njerëzve që folën për teatrin u ishte ngarkuar një detyrë e vështirë, ringjallja e kohës së lavdishme të teatrit. Fjalët rridhnin lumë.
Aktori Dritan Boriçi, dje në rolin e prezantuesit, e nisi me kujtimet e "Topazit", shfaqja e parë e Teatrit Profesionist të Shtetit, e vënë më 30 maj 1945 në kinema-teatër "Kosova". Rikujtoi aktorët që vinin nga qytete të ndryshme, pagat e tyre uniforme 900-1000 franga, ndonjë batutë të shkëmbyer mes Andon Panos dhe Prokop Mimës. Por, kujtimet shteruan shpejt dhe zunë vend fjalimet e gjata që përsëritnin njëra-tjetrën. Nuk dihet sa herë u dëgjuan emrat e aktorëve Mihal Popi, Mihal Stefa, Besim Levonja, Ndrek Shkjezi, Liza Vorfi, Behije Çela, Gjon Karma, Marie Logoreci, Prokop Mima, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Besa Imami, Violeta Manushi, apo të regjisorëve Pandi Stillu, Sokrat Mio, Zina Andri, Kujtim Spahivoglit, Pirro Mani, dhe artistëve të sotëm.
Pas fjalës së drejtorit të Teatrit, Kristaq Skramit, i cili kërkoi një minutë heshtje për artistët që nuk jetojnë më, të njëjtët emra i përmendi në fjalën e tij, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj, i cili në këtë takim përcolli "përshëndetjen e ngrohtë" të kryeministrit Sali Berisha, i cili për arsye pune hoqi dorë nga pjesëmarrja e programuar ditë përpara. Kryeministri me fjalën e tij i siguronte njerëzit e teatrit se "i ndjek vazhdimisht me vëmendje në të gjitha hapat që hedhin, në të gjitha përpjekjet e sukseset që kanë arritur, por edhe në problematikën që mund të shoqërojë natyrshëm punën e tyre". U thoshte edhe se "me ju Shqipëria është vërtetë më e bukur dhe më me dinjitet".
Më tej fjalën e morën kritikë dhe ish-kritikë, Adriatik Kallulli dhe Josif Papagjoni. Kallulli e përafroi rolin e regjisorit shqiptar me atë të kapobashit, që sipas etnofolklorit është personi përgjegjës për gjithçka në traditën e dasmës.
Ai bëri një retrospektivë në punën e regjisorëve të parë, Sokrat Mios, "një profesionist thellësisht i përgatitur" tek regjitë e Pandi Stillut, tek Andon Pano, Zina Andrit. "Ata kanë meritën shumë të madhe sepse aktorë shumë të talentuar që vinin nga lëvizja dhe trupa amatore, i përpunuan, i ngjeshën me koncepte teatri", u shpreh Kallulli, duke theksuar që "nga gjysma e dytë e viteve '50-të, në shfaqjet e veta, trupa e Teatrit Kombëtar, e kishte flakur çdo element të amatorizmit dhe diletantizmit".
Më tej fillonte epoka e dytë e artë, me "ardhjen e Pirro Manit, kur u fuqizua dhe u konsolidua sistemi teorik i Stanislavskit". Kritiku i vlerësoi shfaqjet e këtyre regjisorëve për "lojën ansambël", "maksimumin e interpretimit", "ruajtjen e formatit të mizanskenës" për "unitetin". U referohej shfaqjeve të regjisorit Kujtim Spahivogli me "Gratë gazmore të Uindsorit", "Hamleti", shfaqjeve të Pirro Manit: "Fytyra e dytë", "Arturo Ui", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Epoka para gjyqit", "Prometeu" dhe "Monserat".
I fundit foli regjisori dhe dramaturgu Mihal Luarasi i cili u tregua i kujdesshëm të ulë tonet patetike, edhe ngaqë u ndje se njerëzit po bënin monologë. Aktorët kishin zbritur nga skena në sallë dhe dëgjonin ato që kanë dëgjuar gjithnjë. Luarasi përmendi frymën ideologjike me të cilën ishte gatuar teatri i kohës. "Do të ishte gabim, sikur sot të flinim mbi dafinat e sukseseve. Problemet e sotme, apo ato të bartura nuk mund dhe nuk duhet t'i fshehim", u shpreh ai dhe ndal një problem, mosha e aktorëve. "Sistemi i moshave të aktorëve të Teatrit tonë Kombëtar është anormal. Mungon raporti i ekuilibruar i domosdoshëm në teatër, midis moshave të rritura dhe të rinjve. Mungojnë qysh sot pasardhësit e aktorëve të shquar që kanë hyrë, jo në pak raste, në pragun e moshës së tretë", sqaroi regjisori dhe ngriti zërin për konkurset, një mënyrë për të "evituar ndërhyrjet dhe hatëret që nuk kanë munguar asnjëherë, në dëm të Teatrit".
Por shqetësimi kryesor për Luarasin është reformimi i teatrit, "rishikimi i marrëdhënieve me shtetin", "kërkimi i statusit të veçantë", dhe "modernizimi i sistemit teknik".
"Nuk mund të realizohen spektakle bashkëkohore me teknikën primitive që kemi", përfundoi ai.
Këto fjalë dhe opinione të tjera pas aktivitetit, e qetësuan atmosferën dhe e bënë më tokësore. Në prapaskenë ishin hedhur fletët e fjalimit të Boriçit. E kishin mbaruar misionin e tyre. Artistët i thanë njëri-tjetrit sa i mirë ishte teatri i dikurshëm dhe i mbyllën për teatrin e sotëm.


Xhevdet Feri, ish-drejtor i TK 1999-2003
"Teatri mbetet i pareformuar"
Z. Feri çfarë lidhje kanë fjalët që u thanë sot me Teatrin Kombëtar?
Është e pranueshme që të ketë edhe pak poezi. Është ditë feste dhe njerëz që nuk janë më praktikantë të teatrit, e shikojnë me nostalgji. Kështu që është e natyrshme që ndjesitë të tilla të prevalojnë mbi analizën e gjendjes së teatrit, apo për politikat që duhen ndjekur për përmirësimin e teatrit në përgjithësi.

Në ç'gjendje është teatri sot?
Teatri është i pareformuar, nga pikëpamja e administrimit, e produksionit, e përdorimit të resurseve njerëzore, e kompeticionit që i shtyn gjërat përpara. Në këtë pikëpamje teatri ynë është me modelin e viteve '90. Ka disa improvizime të karakterit financiar dhe administrativ, por reformë që ka në bazë individin, konkurrencën dhe sidomos marrjen në konsideratë të spektatorit, nuk është bërë. Ne nuk kemi politika për auditimin e spektatorit, që t'i mësojmë gjeneratat ta kenë nevojën për të konsumuar këtë lloj kulture.

Pothuajse nuk u fol fare për teatrin përballë ideologjisë, në të shkuarën.
Teatri është krijuar si institucion për t'i shërbyer politikës. Politika atëherë ishte e interesuar të investonte për filmin, teatrin, por edhe ta kontrollonte. Të mos harrojmë "dajakun" që ka ngrënë nga politika teatri ndër vite, për arsye të devijimit, apo frymës liberale. Kështu që ka qenë institucion, i cili në bazën e vet ishte ndërtuar për propagandë. Kurse politika pas viteve'90 nuk ia ka më nevojën teatrit i cili ka humbur edhe disa nga funksionet: e edukimit, informimit. Kështu që edhe në aspektin estetik, teatri ka nevojë për t'u reformuar.
Plus kësaj, kemi një teatër pa godinë. Të festosh 65-vjetorin në një teatër që është ngritur për "doppo lavoro" për dhjetë vjet!


Spiro Duni, regjisor
"Shumë patetizëm"
Z. Duni si ju duk fryma e festës sot?
Patetike. Jam rritur me fjalët që teatri është tempull. Dhe e di që çdo komb i civilizuar, në qendër të një qyteti ka pasur gjithmonë një teatër. Sot vlen një gjë: ata që e nisën këtë teatër ishin njeri më i zoti se tjetri. Ata ishin kryesisht aktorë, por edhe regjisorë të cilët do të ishin më pas pedagogë. Unë jam i brezit që u rrita nga Pirro Mani, sigurisht që dobësitë e mia shkojnë tek ai. Nuk shoh mjeshtër si Kujtim Spahivogli, apo qoftë edhe si Mihal Luarasi.

Emrat e lavdisë së djeshme janë shumë, u përmendën jo pak. Po sot, si është gjendja sot?
Megalomania duhet të zhduket. Të gjithë ne regjisorë, aktorë, duhet të mendojmë se sot, në këtë kohë që jetojmë, detyrat i kemi shumë më të mëdha. Duhet pak më shumë vëmendje për dramaturgjinë shqiptare, sepse një Teatër Kombëtar nuk mund të shkojë tutje pa ngritur në skenë vepra shqiptare. E di që nuk janë të gjitha të mira, por përpjekjet duhet të jenë, që të ngrihen vepra shqiptare. Problemin më të madh që ka teatri sot, po e them me një fjali e cila i takon Stanislavskit: "Në art punojnë shumë njerëz, por punojnë shumë pak artistë". Të kemi më shumë punë, sesa patetizëm.

Sipas jush si përkufizohet raporti historik i TK me ideologjinë?
Teatri ishte armë e Partisë së Punës. Pas vdekjes së diktatorit, ti nëse kishe mend dhe idera mund të thoshe gjëra interesante në shfaqjet e tua, që mund t'i shmangeshe asaj censure që bënte Partia Komuniste. Por, sigurisht që për qëllimet e tyre e donin.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›