E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet e së premtes, dy të vdekur

SHPEJTËSIA/ Në Vlorë një 37-vjeçar gjeti vdekjen si pasojë e përplasjes me trungjet e pemëve në Pyllin e Sodës

Motorët kanë shkaktuar katër viktima gjatë kësaj jave në qarkun e Lezhës. Dje ndërroi jetë një 33-vjeçar

Dy persona kanë gjetur vdekjen dje në dy aksidente. I pari që udhëtonte me motor është përplasur me një betoniere, pranë mbikalimit të Patokut në aksin Milot-Fushë-Krujë, ndërsa i dyti udhëtonte me shpejtësi në Pyllin e Sodës e si pasojë ka humbur kontrollin e mjetit. Burime nga policia bëjnë të ditur se vetëm nga lëvizja me motorë në zonën e Lezhës këtë javë kanë humbur jetën 4 të rinj të moshave 19-33 vjeç.
***
Në qytetin e Vlorës, një 37-vjeçar humbi jetën dje në orët e mesditës. Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin rrugor Vlorë-Triport, në zonën e Pyllit të Sodës. Automjeti, që drejtohej nga shtetasi Ali Hyseni ka dalë nga rruga duke u përplasur me trungjet e pishave anës rrugës. Përplasja ka qenë aq e fortë, sa mjeti tip "Fiat" me targa italiane është ndarë më dysh. Drejtuesi i mjetit është dëmtuar shumë rëndë. Të pranishmit në vendngjarje e kanë trasportuar për në spital, por plagët e rënda nuk i kanë lejuar mbijetesën. Mësohet se viktima ishte i punësuar në një lokal në zonën e plazhit të Zvërnecit. Siç bëhet me dije në orët e paradites ai ka qenë në qytetin e Vlorës për furnizim me mjetin e tij, ku gjatë furnizimit dyshohet të ketë konsumuar ndonjë sasi alkooli. Nën efektet e kësaj të fundit ai është kthyer drejt lokalit ku punonte duke udhëtuar me shpejtësi të lartë. Si pasojë ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit, duke dalë pas kësaj jashtë rruge e duke përfunduar i përplasur me pishat. Nga shqyrtimi paraprak i vendngjarjes, ekspertë të policisë kanë dhënë si shkak të aksidentit shpejtësinë e lartë me të cilën udhëtonte mjeti, si dhe moszbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor. Viktima jetonte në Vlorë, ndërsa familja e tij ishte në Itali, ku edhe 37-vjeçari ka jetuar disa vite më parë.
***
Superstrada Lezhë-Tiranë vazhdon të marrë jetë njerëzish. Një 33-vjeçar është viktima e radhës e një aksidenti automobilistik të ndodhur në segmentin Milot-Fushë-Krujë në orën 09:45 të së premtes. Te mbikalimi i Patokut në Kurbin, mjeti betoniere me targa LA 9492 A me drejtues shtetasin Lulzim Lika, rreth 42 vjeç, banues në fshatin Gjormë është përplasur me një çiklomotor pa targa. Si pasojë ka gjetur vdekjen në vend drejtuesi i çiklomotorit, shtetasi Jetmir Mehja, 33 vjeç nga fshati Bërdicë, Shkodër. Burime në vendngjarje bënë të ditur se fillimisht viktimës nuk iu gjet asnjë dokument idetifikues. Trupi i pajetë u transportua në morgun e spitalit dhe më pas u bë identifikimi i tij. Në motorin me të cilin udhëtonte ishte edhe një arkë e ngarkuar me peshk. Ndërkohë është ngritur grupi hetimor i cili po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Ky është aksidenti i dytë me pasoja fatale që ndodh brenda një jave në Kryqëzimin e Patokut, pasi të shtunën e kaluar dy të rinj 20-vjeçarë Zef Turja dhe Alban Zajçi nga Laçi gjetën vdekjen pasi një kamionçinë u përplas me motorin në të cilin po udhëtonin. Një ditë më pas, të dielën, në rrugën Lezhë-Kallmet u aksidentua rëndë 19-vjeçari Daniel Gjergji, i cili gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak në Tiranë 2 ditë më pas. Një javë me një bilanc tragjik të viktimave në aksidente, ku të 4 personat ishin të rinj nga mosha 19-33 vjeç dhe mjetet e udhëtimit ishin motorë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›