Shumi për Hemilton: Mund të thyej rekordin tim
"Rekordet janë bërë për t‘u thyer dhe Hemilton mund ta thyejë rekordin tim!". Fjalë rrethanore? Kortezi për gazetarët anglezë, për të cilët ka lëshuar këtë deklaratë? Ose një mënyrë për të karrikuar me presion anglezin e MekLaren, që të dielën në Brazil mund të bëhet kampion bote, ose të humbasë titullin për të dytën herë radhazi në garën e fundi? E vështirë ta thuash. Në çdo rast fjalët e Mikael Shumaker përbëjnë lajm. Që javën e kaluar, 7 herë kampioni, njeriu simbol i Ferrarit, kishte shprehur elozhe për Luisin, duke i përkufizuar "impresionuese" cilësitë e garimit të një djaloshi prej pak kohësh në F1 dhe që është kompetitiv në nivelet më të lartë. Për BBC, Shumi ka shtuar edhe detajet e tjera, duke vënë në diskutim dhe super-rekordin e tij të titujve të fituar: "Askush nuk besonte, as unë i pari, që do të mundesha të thyeja rekordin e Huan Manuel Fanxhios (pilotit argjentinas 5 herë kampion bote). Por, unë ia dola. Sigurisht që një gjë e tillë do të ndodhë sërish". Gjermani e konsideron Hemiltonin "shumë të fortë", por nuk është i bindur që ai është piloti më i mirë në F1: "Ka bërë shumë në pak kohë: ka ngritur krye ndaj dy herë kampionit Fernando Alonso, dhe shpesh është më i shpejti, por koha do të qartësojë shumë gjëra".