E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumicat befasuese të Ramës, që i përsërisin mandatin Berishës !!!??

Nga Besi BEKTESHI
Tashmë nga kujtesa po largohen pamjet e turmave entuziaste dhe liderëve që thërrasin në tribuna. Gati po harrojmë Berishën dhe Topallin që tregonin se do të kishin fitore më të madhe ose të afërt me 92-shin. Po ashtu po harrohet Rama vetmitar në tribuna që këndonte dhe kërcente për të deklaruar ndryshimin e një epooooooke...!! Me sa duket populli shqiptar nuk është kaq i marrë sa që ti jepte Berishës fitoren e 92-shit dhe po ashtu kaq idiot sa të ndryshonte historinë me Ramën... Megjithëse shpesh herë zemërohemi me popullin ku bëjmë pjesë të gjithë më duhet të pranoj se është i zgjuar, kur do nga njëherë...!!! Natyrisht që nuk e bëri këtë sepse nuk do të mund të duronte dot arrogancën jo thjesht të zotit Berisha, sepse duhet të pranoj se janë disa syresh nën të që janë bërë të padurueshëm për nga arroganca, që kanë fituar nga që Berisha vetë ju ka lëshuar shumë pe, për të kthyer në monstra, anonimë dhe me asgjë merita dhe kualitete vetëm se Berisha i ka katapultuar, e tani kërkojnë edhe frone dhe triumfe popullore.
Pra nga servilë dhe sahanlëpirës, kthehen në monstra politike. Jo shqiptarët nuk ju dhanë maxhorancë për të qenë të tillë. Por shqiptarët nuk i dhanë mundësi as Ramës të fitojë bastin e tij të tretë. Sepse bastin e parë e ka fituar me Bashkinë e Tiranës. Të dytin me PS-në e Shqipërisë dhe kësaj radhe i dha vetes rastin për të fituar bastin e tretë dhe pikërisht atë të Kryeministrit të Shqipërisë për ti thënë pa asnjë pudor e me vjen keq për fjalën e rëndë.... fuck të gjithëve. Duke filluar nga maxhoranca e sotme, nga socialistët e shpërndarë në shumë parti që nuk e durojnë dot, deri në lidershipe të dikurshme socialiste që e kritikojnë për personalizim dhe transformim të PS-së. Jo... nuk e lejuan shqiptarët që Rama të ishte fituesi i bastit të tretë që do ta kthente në një kapadai akoma më shumë arrogant se sa ato që përmenda më lart dhe që Berisha nuk kontrollon dhe që pastaj rezultojnë njerëz kot, pa vlera dhe që patjetër nëqoftëse i japin shansin ato që kanë diçka në dorë për të qeverisur, duhet të ngulin këmbë që të mos jenë më në qeverisje dhe në krye të institucioneve që kanë rëndësi. Nejse tani na kanë mbetur në sy deputetë që vërtiten në qendrat e votimit të fundit në proçes. Gramoz Ruçi që përgatit një revolucion të ri në Fier dhe Rajmonda Bulku që shtyhet nga turma e irrituar apo Harasani që merret akoma me karrige dhe komisionerë. Berisha që ulet në poltronin e tij në Kryeministri dhe Lul Bashën që qesh, qesh e qesh dhe aprovon me kokë çfarë Berisha thotë me nënqeshjet e të gjithëve që kuptojnë se nuk do të kenë shanse të qeverisin dot vetëm, sepse dikush tjetër i ka në dorë dhe ai tjetri nuk ka aspak ngjyrën e partisë së tyre. Nënqeshin  disi dyshueshëm dhe me frikë, sepse dinë se si parti shqiptarët nuk kanë votuar partinë e tyre të parën. Nënqeshin  sepse mbajtën pushtetin ndoshta edhe për këtë mandat apo edhe për pak kohë nga që shqiptarët nuk besuan të lejojnë Ramën të qeverisë i vetëm. Po patjetër të del në sy karrigia e Harasanit që tregon norma morale të ulëta dhe krahasimi me kafshën që Berisha i bën për të dalë te Rama që si një njeri i paqes deklaron se ka maxhoranca befasuese.......Maxhoranca Befasuese... që del nga goja e Ramës. E tanimë, këtu duhet ndalur.
Në vitin 2005-së socialistët dhe të majtët ishin më shumë. Në 2007-tën po ashtu. Tani janë më shumë se PD-ja dhe sidomos në qytet. Por pushteti nuk mund të jetë i tyre.
Pse?? Sepse Partia Socialiste është kapur në një kurth që ka në bazë imitimin e Partisë Demokratike. Në fakt PD-ja është praktikisht vetëm në emër demokratike sepse ajo është parti e Berishës. Sikur Berisha të shkojë vetëm tre muaj me pushime në Mars ku nuk ka valë celulari, Partia Demokratike pa liderin e saj shpërbëhet dhe fillon një luftë kaq e madhe për pushtetin brenda saj, sa që katandiset një monstër që e lë luftën me PS-në dhe fillon një luftë shumë të ashpër me veten. Por është Berisha dhe të gjithë qëndrojnë urtë e butë sepse... Por PS-ja nuk e ka origjinën te Edi Rama. Jo nuk e ka. E ka në vitin 1941 dhe ka një histori shumë të gjatë. Më të gjatën në Shqipëri. Por ka një veti. Që tenton të mos ketë me themelues dhe të plotfuqishëm deri në atë pikë sa të kthejnë xhaxhin Enver në krye të saj. Sa do që ka parime komuniste apo avangardiste, post komuniste apo anarkiste apo edhe të Rrugës së Tretë. Jo një lider, që i di ai të gjitha, i thotë të gjitha dhe i bën të gjitha. Shumica befasuese...!! Po, shumë befasuese që në fakt i japin Berishës ndoshta edhe mandatin tjetër për katër vite. Tani është një mandat i PDI-së, një mandat i PPDNJ-së dhe katër mandate të LSI-së. Berisha tregohet me i sinqertë se Rama dhe deklaron se nuk ka marrë atë që dëshironte, por sovrani sipas tij ka kërkuar koalicione...!! Për më tepër që përmendi edhe votën e Dritan Priftit i cili i luftuar ashpërsisht nga falangat neokomuniste të PS-së në Fier, deklaroi votën për PD-në dhe Berishën. Pra shumica befasuese e Ramës është vërtetë një befasim për nga konstruksioni që paraqet. Rama thotë se sovrani nuk i dha një mandat të dytë Berishës....por nuk tha se sovrani i ka dhënë një mandat të parë Ramës..!! Kujt ja mban të bashkëpunojë në qeverisje me Ramën kur të gjithë e dinë se ai nuk pyet kërkënd. Nuk pyet dhe ka dashur dhe do edhe sot, të qeverisë i vetëm. Por Berisha jo... nuk është ai që kërkon të qeverisë vetëm. Ai ka qeverisur me Xhuvelin që nuk paraqet asgjë si parti. Me Ndokën që aritmetikisht shtonte numra me deputetë në parlament. Me të gjithë, sepse do të qeverisë. Shpesh herë edhe e kanë turpëruar, por që ai .....me modelin e tij të sipërkalimit të cilësisë së qeverisjes, vetëm e vetëm, që të jetë ai Kryeministër, i ka lejuar. Tani i vetmi faktor për të qeverisur me këtë budallallëk me kod zgjedhor, i vetmi që lejon të qeverisës disi qetësisht është Ilir Meta. Praktikisht është ai garant që Berisha të qeverisë, por pa disa figura të stërkonsumuara në qeverisjen Berisha. Jo vetëm në qeveri. Por edhe në legjislativ dhe dikastere të ndryshme e deri në një rregullim të saktë të drejtësisë. LSI-ja e goditur më shumë nga PS-ja, se sa nga PD-ja, gjithsesi doli forca e tretë dhe Ilir Meta humbi vetëm bastin e tij me votat e shqiptarëve, por edhe këtë bast se nuk e lanë si majtas dhe djathtas. Besoj se Berisha kësaj radhe po qeverisi ka dy alternativa. E para, të qeverisë me 71 vota dhe të rrëzohet apo shpërdorojë pushtetin akoma më keq, deri sa të rrëzohet. Ose të përgatitet të bëjë një pakt me LSI-në si për ndryshim të kodit zgjedhor dhe të rregullimit të qeverisjes nga e djathta, deri në të majtën të Metës. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Kurse PS-ja e Ramës ka një rrugë. Të gjejë arsyen pse është shumicë e  votuar dhe qëndron në opozitë. Po, ta gjejë këtë arsye, e atëherë ka mundësi që edhe shqiptarët ta besojnë një ditë.
Last Updated on Friday, 03 July 2009 00:15

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›