Dalipi: Elbasanin nuk e ndal askush fazën e dytë
Autori i golit të fitores në Gramsh, Endri Dalipi, thekson se edhe Besëlidhja do të ketë fatin e të tjerëve në stadiumin Ruzhdi Bizhuta
Fitorja në derbin e Prefekturës me Gramshit e ka ngrohur atmosferën në kampin elbasanas. Është fitorja e parë jashtë fushe, të cilën futbollistët verdheblu e kishin paralajmëruar, duke u nisur nga ndryshimet që ka bërë skuadra gjatë përgatitjeve të dimrit. Kjo fitore jep shpresë për një vend në 5-shen e parë dhe pritet që Elbasani ta luajë çdo ndeshje të mbetur si finale.
Është një skuadër me përvojë, që kërkon ta thotë fuqishëm fjalën e saj në fazën e dytë. Fillimi është i mbarë dhe 6 pikët që Elbasanin e ndajnë nga vendi i dytë duken të rikuperueshme edhe për faktin se kalendari është në favor të verdhebluve, që rivalët i presin në stadiumin Ruzhdi Bizhuta.
Dalipi Mesfushori Endri Dalipi, autori i golit të fitores në Gramsh, ku shfrytëzoi mjaft mirë një gabim të mbrojtjes vendëse, mendon se Elbasani tashmë është në rrugën e duhur dhe është futur bindshëm në garën për superligën, edhe pse qëndron ende në vend të 6-të. Sipas tij, fitorja në derbi ishte plotësisht e merituar: Jam mjaft i lumtur që arrita të ndihmoja skuadrën për të marrë fitoren e parë jashtë fushe.
Më shumë se goli me gëzojnë pikët e marra në derbi. E merituam plotësisht atë fitore, pavarësisht kontestimeve të tifozërisë dhe skuadrës kundërshtare. Do tu thosha tifozëve të Gramshit se po luanin përballë Elbasanit dhe jo përballë Sopotit. Çudia më e madhe vetëm tri ditë zgjat, kështu që do ta marrin veten. Elbasani është një skuadër me traditë në Shqipëri dhe tashmë e kemi treguar se jemi më të fortë se në fazën e parë, ka thënë mesfushori verdheblu në lidhje me fitoren në derbi.
Besëlidhja Dalipi ka folur edhe për ndeshjen e radhës, që Elbasani e ka në Ruzhdi Bizhuta me Besëlidhjen: Lezhjanët duhet ti harrojnë pikët në fushën tonë. Kuptohet që na pret një ndeshje e vështirë me Besëlidhjen, por jemi të motivuar që ta fitojmë atë dhe të mos ndalemi në rrugën që kemi nisur.
Jemi të uritur për pikë, por kemi edhe një hak për të marrë ndaj këtij kundërshtari, që na ka mundur thellë në Lezhë fazën e parë. Në Elbasan asnjë skuadër nuk ka arritur të marrë pikë, kështu që edhe Besëlidhja do të ketë të njëjtin fat, ka përfunduar futbollisti i Elbasanit.
6 pikë
kanë marrë elbasanasit në dy ndeshjet e para të fazës së dytë, një nga të cilat në transfertë, duke dhënë një sinjal të qartë se po rikthehen fuqishëm në garë
5 gola
Ka shënuar mesfushori Endri Dalipi këtë kampionat për verdheblutë, ku pa dyshim që më i rëndësishmi është ky i fundit, që i dha fitoren në derbi skuadrës së tij
