E Diel, 1 Nëntor 2026

Si bëhet regjistrimi i pasurisë pa dokumente të plota zyrtare

25/02/2009  Në total duhet të paguani 500 lekë si taksë shërbimi dhe tarifë

Për të regjistruar pasurinë tuaj që nuk ka të gjithë dokumentacionin e plotë zyrtar procedura është e thjeshtë. Ajo që duhet në këtë rast, është vetëm një kërkesë e pronarit. Tarifa që duhet të paguani është 200 lekë, ndërsa taksa e shërbimit është 300 lekë. Pra, në total ju duhet të paguani vetëm 500 lekë. Kërkesa juaj depozitohet pranë ekspertëve të zyrës vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme. Ky regjistrim fillestar i pasurisë më pas administrohet nga ekspertët e zyrës së hipotekës.

Hipotekimi fillestar

Për hipotekimin e pallatit në zonat e regjistrimit fillestar afati kohor është 20 ditë. Sipas burimeve zyrtare nga ZRPP-ja, për hipotekimin e pallatit në zonat pa regjistrim fillestar, afati kohor është 30 ditë. Nëse nuk respektohen këto afate, parashikohen sanksione. Sipas rregullave të vendosura për shërbimet nga zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, gjoba është 150 lekë në ditë për çdo ditë vonese. Sa i përket regjistrimit të pasurisë në karabina nevojiten si dokumente, një shkresë përcjellëse nga institucioni që ka lëshuar lejen e shfrytëzimit, leja e ndërtimit e miratuar nga KRRT-ja, leja për sheshin e ndërtimit e dhënë nga organi kompetent, planvendosja e miratuar nga KRRT-ja, akti i piketimit të objektit, si dhe akti i kolaudimit të objektit.

Titull në pronësi

Në rast se ju kërkoni një vërtetim titulli në përdorim atë mund ta merrni pranë këtyre zyrave të hipotekës që ndodhen në të gjithë vendin. Certifikata lëshohet për të vërtetuar se personat që kanë bërë kërkesën janë të regjistruar si përdorues të pasurisë së paluajtshme shtetërore. Ekspertët bëjnë të ditur se ky vërtetim është i vlefshëm për të gjithë ata persona që kanë në përdorim një godinë, banesë, apo ndërtesë trualli mbi të cilin është ndërtuar i përket shtetit. Jo vetëm kaq. Ky vërtetim është i nevojshëm edhe për ata persona që shfrytëzojnë godinat në tokë shtetërore jo vetëm për arsye banimi. “Nëse qytetari ka nevojë për një dokument të tillë, qoftë për ndonjë rast konflikti gjyqësor, apo edhe për arsye të tjera personale, mund të paraqitet pranë zyrave vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe ta marrë kundrejt pagesës”, - theksojnë ekspertët. ZRPP-ja ka bërë publike në faqen e saj zyrtare dokumentet që duhet të plotësohen për raste të tilla. Në këtë faqe gjenden afatet dhe procedura, por edhe sanksionet që aplikohen nëse nuk zbatohen rregullat. Sipas rregullave të shërbimit për titullin e pronësisë, tarifa është 400 lekë dhe taksa e shërbimit për lëshim vërtetim pronësie është 100 lekë të reja. Për këtë shërbim nuk aplikohet asnjë gjobë dhe afati ligjor për paraqitje në ZVRPP është çdo ditë pune. Ndërsa, për lëshimin e certifikatës së pasurisë është e nevojshme që të paraqitet pranë zyrave vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, një kërkesë me shkrim nga i interesuari ku përfshihen të dhënat e nevojshme për identifikimin e pasurisë. Tarifa në këtë rast është 400 lekë dhe taksa e shërbimit është 100 lekë.

Detaje

Dokumentacioni i pasurive të paluajtshme është i ndarë në dy grupime. Sistemi i vjetër i pasurive të paluajtshme, i cili si kriter kishte pronarin dhe sistemi i ri i pasurive të paluajtshme, i cili ka si kriter numrin e pasurisë. Sistemi i ri ka tre komponentë kryesorë, dokumentet ligjorë, kartela e pasurisë dhe harta treguese.

Shqipëria është e ndarë në zona kadastrale dhe aktualisht jo të gjitha këto zona kanë hyrë në sistemin e ri, pasi jo në të gjitha është realizuar regjistrimin fillestar i pasurive. Edhe zonat që kanë kaluar në sistemin e ri, gjithsesi nuk e kanë të gjithë dokumentacionin të dixhitalizuar dhe të hedhur në regjistra kompjuterikë.

Puna për dixhitalizimin e pasurive të paluajtshme ka arritur deri te dokumentacionet e vitit 2003. Projekti i ri LAMP ka në fokus regjistrimin fillestar të pasurive dhe përmirësimin e të dhënave dixhitale, për të arritur deri sa është bërë më sot dhe për të krijuar mundësinë e përditësimit të dixhitalizimit të dokumentacionit.

Regjistrimi fillestar

Aktualisht zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është duke zbatuar procesin e regjistrimit fillestar të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Nëpërmjet këtij procesi synohet të përfundojë regjistrimi në rreth 500 mijë pasuri urbane në qytetet kryesore, përfshirë Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Lezhën, Kavajën, Fierin, Lushnjën, Vlorën, Sarandën dhe Elbasanin, përfshirë edhe Korçën me fonde të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, po bëhen ndryshimet në ligj dhe rregullore, për procesin e regjistrimit fillestar, përmirësimin e të dhënave, kompjuterizimin dhe automatizimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›