Si do ndahet grupi parlamentar i PD?
Ngjarjet e javës së kaluar nuk do të kalojnë pa pasoja në strukturat e Partisë Demokratike, sidomos në grupin parlamentar, i cili do të rrudhet për shkak të ndarjes mes dy grupeve kundërshtare.
Pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021 Partia Demokratike dhe aleatët e saj fituan 59 mandate deputetësh, 49 nga të cilët janë drejtëpërdrejtë deputetë të Partisë Demokratike. Ne dokumentet zyrtare të Parlamentit të Shqipëisë figurojnë të rregjistruar si deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike 44 deputetë, ndërsa 5 të tjerë janë pjestarë të Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim. Por pas vendimit të fundit të kryesisë së Partisë Demokratike grupi parlamentar do të rrudhet edhe më shumë.
Kryesia ka vendosur të përjashtojë përfundimisht nga Partia Demokratike dhe nga të gjitha funksionet drejtuese në grupin parlamentar 4 deputetët Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi dhe Edmond Spaho.
Kryesia ka vendosur gjithashtu të pezullojë nga grupi parlamentar, deri në distancimin publik nga aktet e dhunës që u shënuan të shtunën mbi Selinë e Partisë Demokratike të 6 deputetëve të tjerë. Ata jane Agron Shehaj, Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Luan Baçi, Belind Këlliçi, Edi Paloka.
Nga një llogaritje e thjeshtë matematikore nga 59 deputetë që PD kishte në shtator kur nisi legjislatura e re, tashmë PD dhe aleatët e saj me përjashtimin përfundimtar të 4 deputetëve do të ketë 55 përfaqësues në Kuvend.
Por nëse edhe 6 deputetët që janë pezulluar nuk do të distancohen nga aktet e dhunës siç kryesia e PD u ka kërkuar, atëhere grupi parlamentar i PD do të zbresë në 49 deputetë gjithsej, çka do të ndryshonte edhe ekuilibrat në kuvend.
Me nisjen e sesionit të ri javën e ardhshme në parlament këto ndryshime do të reflektohen në përbërjen e grupeve parlamentare. Dy do të jenë ngjarjet që priten me interes në jetën e re parlamentare. E para, nëse Berisha do të krijojë një grup të ri parlamentar dhe nese ish aleate të tij në qeverisjet e shkuara si Vangjel Dule, Fatmir Mediu apo Agron Duka do të rrjeshtohen në grupimin e ri politik.