E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do të shiten asetet e kompanive shtetërore

TIRANE-Në kuadër të privatizimeve masive, të paralajmëruara nga qeveria, si objektiv i të cilave do të jenë shitjet e aseteve publike, me përjashtime të rralla, ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka përcaktuar rregullat që do të ndiqen për shitjen e shoqërive anonime me kapital shtetëror në likuidim. Rregullat përcaktohen me një udhëzim të ministrit Nasip Naço, të datës 20 korrik të këtij viti, por që ka hyrë këto ditë në fuqi, duke qenë se një gjë e tillë do të kryhej vetëm pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shitja
Me shpalljen e shoqërisë në likuidim, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, shiten nëpërmjet ankandit publik, theksohet në udhëzim. Njoftimi për shitje bëhet katër herë radhazi në Buletinin e Njoftimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik, nga data e dërgimit të njoftimit për shitje, si dhe afishohet edhe në mjediset e shoqërisë e në objektin që do të shitet. Më pas, si proces, ankandet për shitjen e pasurive të ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare shtetërore në likuidim bëhen në mjediset e ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Që të fillojë procesi i përzgjedhjes së fituesit, para njësisë së ankandit duhet të paraqiten të paktën dy kërkesa dhe, që të vazhdojë procesi në vijim të procedurës së hapur, duhet të paktën një ofertë e vlefshme.
Ish-pronarët
Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.428, datë 9.6.2010 "Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes", në ankandet për shitjen e pasurive të këtyre shoqërive nuk zbatohet, për ish-pronarët, e drejta e parablerjes. Ata do të marrin pjesë në ankand si të gjithë të tjerët. Në rastet e shpalljes fitues, ish-pronarëve u zbritet vlera e truallit, e njohur dhe e kthyer me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Pagesa
Fituesi lidh kontratë për blerjen e objektit, pas pagesës së plotë të vlerës së objektit, përfshirë dhe TVSH-në (20%) për asetet, që janë objekt i saj. Pagesa në asnjë rast nuk mund të bëhet me letra me vlerë ose bono privatizimi. Nëse personi, që ka fituar të drejtën e blerjes së objektit, nuk paguan brenda 30 ditëve nga data e shpalljes fitues, vlerën e çmimit të arritur në ankand, ai e humbet të drejtën e blerjes, i konfiskohet sigurimi i ofertës, si dhe humbet të drejtën për të marrë pjesë në ankandin, që do të zhvillohet për rishitjen e këtij objekti.
Çmimi
Për përcaktimin e vlerës fillestare të ankandit publik, ngrihet komision i posaçëm vlerësimi pranë autoritetit shitës, i cili përgatit dokumentacionin për vlerësimin e objektit të caktuar për shitje. Vlera fillestare e ankandit për shitjen (VAM) është vlera e objektit në përputhje me çmimet e tregut dhe vlera e truallit në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e çmimeve, të hartuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, duke i shtuar vlerën sipas vlerësimit të komisionit të materialeve të tjera të objektit përkatës. Ekspertë të ndryshëm vlerësojnë makineritë e pajisjet, mjetet e transportit, produktet dhe skrapin. Për metalet me ngjyrë, si: bakri, alumini, plumbi, zinku, kallaji, nikeli, ari dhe argjendi, vlera fillestare e ankandit përcaktohet nga ekspertë vlerësues, duke iu referuar në llogaritje çmimit përkatës sipas Bursës së Londrës.

(d.b/GencKondi/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›