E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkoza pa ujë prej katër ditësh

TIRANE-Uji i pijshëm 24 orë pandërprerje ishte një 'ëndërr' që kryeqytetasit nuk mundën ta realizonin as këtë verë. Veç kësaj, në këto temperatura përvëluese të gushtit shumë zona të Tiranës po furnizohen me orare të reduktuara me ujë të pijshëm. E tillë është edhe zona e Shkozës, ku nga dy herë që furnizoheshin më parë me ujë, prej disa muajsh po furnizohen vetëm një herë në ditë, nga ora 12:00-16:00. Por më problematike është lagja Shkoza nr.2, ku prej katër ditësh banorët furnizohen vetëm disa minuta ujë në ditë.
Me shpresën se festa e Fiter Bajramit do t'iu sillte pak më shumë ujë, fatkeqësisht, ditën e martë atyre nuk iu është lëshuar uji as ato 15 minuta. "Gjatë gjithë verës zona jonë ka pasur kufizime të furnizimit me ujë të pijshëm, sepse oraret por edhe sasia e ujit janë reduktuar. Ndërsa këto katër ditët e fundit nuk na vjen uji fare, maksimumi kemi vetëm 15 minuta ujë në orarin e drekës. Ndërsa lagjja përballë nesh furnizohet dy apo katër orë në ditë me ujë", - ankohen banorët e Shkozës, të cilët shprehen se, pasi Ujësjellësi bëri instalimet e reja dhe lidhi kontratat me ato familje që nuk i kishin më parë, ata paguajnë rregullisht për ujin që konsumojnë.
Por nga ana tjetër, Ujësjellësi këtë zonë e konsideron si më problematikën për sa i përket pagesave, pasi nuk paguajnë faturat për ujin. Veç kësaj, në këtë zonë shpërdorohet tej mase uji, sidomos për vaditje. Por veç zonës së Shkozës, e cila këtë javën e fundit të gushtit ku temperaturat kanë qenë edhe më të larta është 'tharë' për ujë, probleme me furnizimin kanë edhe shumë zona të tjera të Tiranës, të cilave uji u vjen me pikatore, pasi prurja është tepër e ulët saqë nuk arrin të mbushen as depozitat.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›